Nisma greke kundër inflacionit, nga e hëna çmimet e disa artikujve ulen me 5%


Kryeministri grek, Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis), i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit, Kostas Skrekas, inspektoi të shtunën një nga supermarketet e Atikës Lindore, për të inspektuar si po zbatohet projekti për uljen fikse të çmimeve me 5% për artikuj të caktuar.

Politika qeveritare synon të lehtësojë barrën financiare për familjet dhe furnizuesve u është kërkuar ta ruajnë uljen e çmimit përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

“Unë e di se çmimet e larta, veçanërisht në ushqim, janë një vështirësi. Por qeveria do të jetë gjithmonë këtu dhe do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion të saj për ta kufizuar problemin aq sa është e mundur,” u shpreh kryeministri Micotakis.

Ministria greke e Zhvillimit është dikasteri që do të përgjigjet për zbatimin e politikës, duke kryer edhe verifikime në terren nga data 13 nëntor për të siguruar që supermarketet të respektojnë vendosjen e çmimit. Masa synon të kontrollojë konkurrecën, por edhe të parandalojë rritjen e inflacionit.

Sipas byrosë së statistikave, ELSTAT, çmimet e ushqimeve u rritën me 9,4% në Greqi në muajin shtator. Eurostati gjithashtu informoi se në tetor inflacioni arriti 3,9% më lart, duke e kaluar mesataren e eurozonës.

Latest articles

Related articles