Kryetarja e Partisë Demokratike Lezhë, Alfrida Marku, për marrëveshjen me Italinë e cila parashikon ardhjen çdo vit në vendin tonë të 36 mijë emigrantëve, thotë se një lajm i tillë ka shkaktuar debat në opinionin publik dhe veçanërisht në Lezhë.
Në një lidhje për MCN Live, pritet të ketë impakt në jetën sociale ekonomike në Shqipëri dhe veçanërisht në Lezhë, ngritja e dy kampeve për emigrantët në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër
Turizmi është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në Lezhë. Ndërkohë ka mungesë të plotë të informacionit paraprak.
Shqiptarët njihen nga mediat italiane, ndërkohë që autoritetet shqiptare i lënë në errësirë.
Ka mungesë të informacionit paraprak dhe një analize paraprake, a i ka Shqipëria kushtet infrastrukturore dhe a merret në konsideratë, çfarë pasojash mund të sjellë për rendin dhe sigurinë në vend.
Kur bëhet fjalë për çështje ekstraterritorialiteti, domosdoshmërisht duhet t’i nënshtrohen diskutimit në parlament.
Me këtë marrëveshje cenohen jo vetëm të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe të Lezhës, por edhe të refugjatëve se shkelen të drejtat e njeriut.
Kemi të bëjmë me një trajtim çnjerëzor të emigrantëve, nëse do të strehohen në kampe. Kemi të bëjmë praktikisht me një burg.
Marrëveshja i ndan familjet, duke qenë se këtu do të sillen vetëm djemtë dhe burrat.
Infrastruktura e nevojshme nuk mund të ndërtohet as për 3 apo 4 muaj. Jemi në mbështetje të interesit qytetar, PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore.
Kemi kërkuar interpelancë me Kryeministrin Rama, deri tani nuk ka asnjë përgjigje. Për sa kohë e ka mbajtur të fshehtë, nuk është ende gati për transparencë.
Do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese. Është njoftuar një protestë nga një grup të rinjsh ditën e shtunë në orën 15.00, qytetarët kanë nisur të reagojnë.
Në Gjadër nga informacionet që kam marrë nga banorët, kanë nisur lëvizjet e para për ngritjen e kampit.
Kjo tregon se si Kryeministri nuk merr në konsideratë në asnjë moment interesin e qytetarëve.



