Klosi: Ne njohim për kryetar grupi z. Basha, atë që ka firmën dhe vulën e PD. E njeh gjykata

spot_img
Advertisements

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, pohoi gjatë një interviste për emisionin “Pa censurë”, se PS ka dëshirë për dialog me opozitën, por nuk ka se me kë dialogon. Ai solli në vëmendje si shkak të anormalitetit aktual në parlament luftën e brendshme në PD, duke mos pranuar si arsye komisionet hetimore apo përfaqësimin e PD në komisionin e reformës zgjedhore.

“Bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore, do të jetë ai që ka firmën dhe vulën e PD. Me këtë firmë dhe vulë është zgjedhur Enkelejd Alibeaj të jetë bashkëkryetar,” u shpreh Blendi Klosi, duke treguar prirjen e PS për të bashkëpunuar me grupin e zotit Basha.

“Kryetarja e Kuvendit ka një dokument me vulë dhe firmë që e përjashton Gazment Bardhin nga PD. Kryetarja respekton të njëjtën firmë dhe vulë që e ka sjellë zotin Bardhi deputet dhe më pas si kryetar grupi. Tani që e njëjta firmë dhe vulë e ka përjashtuar të mos e njohë?” u shpreh Blendi Klosi.

“Ne njohim për kryetar grupi zotin Basha, atë që ka firmën dhe vulën e PD. Mos i kërkoni Lindita Nikollës dhe PS të zgjidhë problematikën e PD. Ne e njohim zotin Basha, sepse gjykata e njeh zotin Basha si Kryetar të PD. Nga kjo rrjedhin të gjithë hallkat e tjera,” theksoi zoti Klosi.

Zgjidhja që jep numri 2 i PS, Blendi Klosi, është që opozita të paraqesë kërkesa të tjera për komisionet hetimore. Kërkesa që sipas tij deri tani nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Ose zgjidhja tjetër është dërgimi i çështjeve në Gjykatën Kushtetuese. Një procedurë që zgjat, ndoshta deri në mbarimin e mandatit të këtij parlamenti.

spot_img

Latest articles

Related articles