Mjegulla e opozitës dhe çakalli i Ramës

Namir Lapardhaja

Ndërkohë që një pjesë e opozitës është duke u varur në kangjellat e Kuvendit, nuk është duke lejuar zhvillimin normal të komisioneve dhe seancave plenare, ka ndezur zjarrin për të djegur vetveten, shkakton zhurmë për të mos u dëgjuar asnjë fjalë e arsyeshme, mediat matanë Adriatikut na bëjnë me dije se hyqymeti i Shqipërisë ka arritur një marrëveshje me qeverinë italiane për zbarkim të emigrantëve në brigjet e Shëngjinit dhe në zonën e Gjadërit.

Kjo marrëveshje e panjohur për publikun shqiptar, e padiskutuar në asnjë forum apo institucion vendor, e paekspozuar ndaj asnjë grupi interesi, e mbajtur në fshehtësi të plotë nga qeveria shqiptare, nuk mund të kalojë dhe të arrihet në një periudhë kaosi, në një kohë të turbullt, në një moment ku vetëm për politikë nuk flitet.

Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla për ta kuptuar se si Edi Rama e trajton qeverisjen, por këto detaje përforcojnë bindjen e thellë se pushteti për të është një çiflig personal me të cilin mund të bëjë ç’të dojë, pa pyetur kënd, pa i dhënë llogari kujt, pa u kontrolluar nga asnjë institucion apo pa mbajtur asnjë balancë në ushtrimin e tij.

Arritja e një marrëveshje të tillë, vjen në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë është shndërruar në një arenë cirku dhe shfaqjeje, ku një grup deputetësh janë kthyer në badigardë dhe mbrojtës të zellshëm të Sali Berishës, duke tentuar të trembin sistemin e drejtësisë për të mos iu afruar edhe më shumë atij apo familjes së tij, gjë që shkakton tërheqje të vëmendjes dhe lënien e sheshit të politikbërjes në duart e ‘përsheshit’ të Edi Ramës.

Gjithçka është e koordinuar me mediat dhe pronarët e tyre oligarkë, të lidhur njëkohësisht me Berishën dhe Ramën, të cilët në prime time i kanë vënë gjithçka në dispozicion sherrnajës dhe heronjve të kangjellave, ndërsa nuk kanë folur asnjë fjalë, nuk kanë bërë asnjë emision, nuk kanë harxhuar asnjë minutë transmetim, për të diskutuar apo për të vënë në dyshim marrëveshjen Rama-Meloni.

Nuk mund të mohohet ndihma e madhe që Italia fqinje i ka dhënë dhe vijon t’i japë Shqipërisë, mirëpo gjithsekush prej shteteve respektive në arritjen e marrëveshjeve dypalëshe duhet të shoh interesat e saj.

Shqiptarët më shumë se kushdo tjetër, e kuptojnë brengën e emigracionit, duke qenë se një pjesë e madhe e tyre jetojnë me këtë brengë, mirëpo kjo nuk mund të jetë arsye që Shqipëria të boshatiset prej tyre, si pasojë e keqqeverisjes 30-vjeçare, dhe të popullohet me emigrantë.

Marrëveshje të tilla të një rëndësie të veçantë, nuk mund të arrihen në ilegalitet dhe të merren vesh vetëm nga media e vendit fqinj.

Qeverisja, marrëveshjet, aktet, vendimet, janë diçka publike, ndaj ato nuk mund të trajtohen si private, nga kushdo qoftë.

Në Kryeministër i vetëdijshëm për rolin dhe interesin e vendit të tij do duhet të shkonte në Romë me dy prioritete të qarta: ndihmën e Italisë ndaj shpejtimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe kërkimin ndihmë të kryeministres Meloni, duke e ‘shfrytëzuar’ në interes të problematikës së qytetarëve të vendit të vet, për të shpejtuar çështjen e pensioneve, që është ne negocim e sipër dhe që nga pala italiane ka një ngadalësi të pakuptimtë.

Mirëpo, Edi Ramës, me ç’duket, më shumë se sa për qytetarët e tij, i intereson protagonizmi dhe ambicia përsonale për t’u parë dhe për t’u trajtuar në Perëndim si një politikan që bën gjithçka dhe ofron çdo gjë kur bëhet fjala për kërksesat e tyre.

Ai është thjesht një politikan tipik ballkanas, që, në mungesë të legjitimitetit dhe të pakënaqësisë së madhe brenda vendit, kërkon të imponohet nëpërmjet “shitjes së shpirtit” jashtë tij.

Në mjegullën ku ndodhet sot politika në Shqipëri, çakalli i Ramës ‘legjitimohet’ të shqyejë gjithçka gjen përpara.

Latest articles

Related articles