Joschka Fischer: Është si në 1914-ën. Jemi një hap nga lufta botërore

Për ish-ministrin e Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, njohës i mirë i Lindjes së Mesme, konflikti në Gaza ka potencialin për ta futur në luftë të gjithë rajonin.

“Është e vështirë të mos mendosh për vitin 1914, kur ngjarjet morën një dinamikë të pakontrollueshme dhe sollën si pasojë Luftën e Parë Botërore”, thotë ai.

Operacioni ushtarak që Rusia nisi në shkurt të vitit të kaluar në Ukrainë ishte sipas Fischer, dominoja e parë që u rrëzua dhe që “po e fut përfundimisht në krizë paqen amerikane të pas vitit 1945”, duke shkaktuar një “polarizim të ri gjeopolitik në të cilin askush nuk do të fitojë përparësi”.

Sipas Fischer, ekziston “një paralele mbresëlënëse” midis luftës në Ukrainë dhe asaj që po zhvillohet në Gaza: “Të dyja kanë në thelb një luftë ekzistenciale për mbijetesën e një shteti kombëtar”.

Ish-zëvendës kancelari është i bindur se Irani ka luajtur rol vendimtar drejtues dhe mbështetës në sulmin brutal të Hamasit dhe se Izraeli “nuk ka zgjidhje tjetër veçse të reagojë ushtarakisht”, pavarësisht se kjo do të thotë jetë të humbura civilësh dhe thellim i mëtejshëm i urrejtjes mes dy palëve. Ky, pretendon Fischer, ishte pikërisht “rezultati i shpresuar nga ata që planifikuan dhe zbatuan sulmin terrorist të 7 tetorit”.

Fischer thotë se dy konfliktet aktive që ka bota aktualisht kanë përvijuar një rend të ri botëror, ku Perëndimi është rreshtuar së bashku me Kievin dhe Tel Avivin, ndërsa fuqitë si Kina dhe Rusia, si dhe pothuajse i gjithë i ashtuquajturi Jugu Global në frontin e kundërt. “Është një dinamikë që Perëndimi thjesht nuk mund ta pranojë”, paralajmëron Fischer, sipas të cilit “do të jetë e nevojshme të bëhen përpjekje titanike diplomatike për ta ndaluar”.

Globi “zien” edhe nga vatra të tjera konflikti, që nga Kaukazi midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, në Ballkan midis Serbisë dhe Kosovës, në Afrikë në Sahel, ku një seri grusht shtetesh ushtarake dhe tërheqja strategjike e Francës e kanë zhytur zonën në kaos total.

“Rreziku i një përplasjeje ushtarake në Detin e Kinës dhe ngushticën e Tajvanit po rritet. Në të, superfuqitë amerikane dhe kineze do të përfundonin të përfshira direkt.

Përpjekjet për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë globale dhe për të vendosur një rend të ri ndërkombëtar nuk kanë ndodhur kurrë pa dhunë. Kjo e bën tonin e fuqive të mëdha ndaj njëra-tjetrës më agresiv dhe aq më shqetësues”.

Ajo që ne shohim sot është sipas Fisherit vetëm “një mbetje e një bote pa rend”.

Latest articles

Related articles