Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se nuk do t’i bindet Gjykatës së Posaçme për t’u paraqitur dy heë në muaj për t’u marrë në pyetje, sipas masës ndaj tij të lënë në fuqi ditën e sotme.
Berisha tha se vendimi i GJKKO është anti-kushtetues, pasi masa e dhënë ndaj tij, për ndalimin e lëvizjes jashtë shtetit, është në shkelje me Kushtetutën.
“Unë jam ish-kryetar shteti, ish-kryeministër, Edi Rama e ndaloi këtë dhe Kushtetuta e Shqipërisë thotë deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në ç’do lloj forme pa autorizimin e parlamentit. De facto, kjo është një formë arrestimi, për Tahirin është dhënë. Nuk ka rëndësi se çfarë kërkon, Kushtetuta nuk e lejon gjykatësin.
Asaj iu kërkua, ajo refuzoi. Duhet ta pranonte të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Kjo bëhet kur e pranon gjykatësja. Ky quhet gjykim incidental, është e njohur. Nuk i bindem kurrë. Absolutisht jo. Është vendim anti-kushtetues, nuk paraqitem”, deklaroi ndër të tjera Berisha në emisionin “Opinion”.
