Tre arsye pse jemi përballë një skenari Amerikan – RED VARAKU

Ka një përpjekje në të gjithë diskurin politik shqiptar për ta shmangur narrativën Amerikane të goditjeve të SPAK, një narrativë që është stërrparalajmëruar nga të gjithë zyrtarët Amerikanë.

Është shumë e pashpjegueshme se pse në analizën e tyre të gjithë bëjnë sikur nuk e kuptojnë ose sikur nuk e shohin “elefantin në dhomë”.

Bëjnë sikur nuk e kuptojnë faktin që të gjithë të shpallurit non-grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, e kanë të përcaktuar në mënyrë të pashmangshme fatin e tyre.

Në mënyrë të pashpjegueshme shmanget edhe një tjetër fakt nga ata që kanë marrë përsipër t’i shpjegojnë shqiptarëve goditjet e SPAK ,që lidhet drejtpërdrejtë me faktin që Presidenti Amerikan e ka shpallur korrupsionin si kërcënim për sigurinë kombëtare Amerikane.

Për këtë arsye Presidenti i fuqisë më të madhe që globi ka njohur ndonjëherë, ka firmosur posaçërisht një Urdhër Egzekutiv për Ballkanin Perëndimor .

Vetëm një naiv nuk e kupton çfarë prodhon në terren një Urdhër Egzekutiv.

Sepse të gjithë e dinë që më pas ai shndërrohet në një plan strategjik për eliminimin e korrupsionit , pra prodhon akte që materializojnë vullnetin e Presidentit dhe shpallja e nongratave është vetëm një prej akteve që mëton të eliminojë korrupsionin.

Në kontekstin ballkanik ky Urdhër tenton të “çlirojë” vendet e Ballkanit Perëndimor nga kthetrat e korrupsionit dhe të korruptuarve, sepse korrupsioni dhe të korruptuarit konsiderohen aleatë të forcave malinje kryesisht Rusisë .

Qëllimi i këtij Urdhëri është që më pas këto vende të realizojnë ëndrrën e popujve për antarësim në BE, që është edhe kryeobjektivi i strategjisë Amerikane për Ballkanin.

Fakti i tretë që të gjithë duket sikur “harrojnë” të sjellin në debat është fakti që Reforma në Drejtësi është investim i pastër Amerikan.

Për kujtesë të të gjithë “naivëve” Reforma në Drejtësi si mekanizëm pastrimi lindi si ide për tu aplikuar në Ballkanin Perëndimor në 2013, menjëherë pasi Rusia në 2012 u pëcaktua nga SHBA-të si “armike” e interesave Amerikane.

Në kontekstin shqiptar jo rastësisht filloi të flitej për një reformë të tillë menjëherë pas zgjedhjeve të 2013.

Kjo sepse në 2013 të gjithë pamë një rrotacion të kontrolluar të pushtetit midis Berishës dhe Ramës nën garancinë e Ilir Metës, rrotacion që materializoi paktin e zi të 2008 , pakt që mori peng demokracinë shqiptare, pakt që u shndërrua në mekanizmin kryesor të bllokimit të demokracisë shqiptare.

Pra, Reforma në Drejtësi më së pari është instrument për t’iu kundërvënë interesave të Rusisë, që interes parësor ka asgjësimin e demokracisë dhe së dyti kjo Reformë është një instrument që po përdoret për të goditur paktin e zi të 2008 dhe mekanizmin që ka marrë peng demokracinë shqiptare me qëllim zhbllokimin mekanik të sistemit politik dhe rikthimin e sundimit të vlerave demokratike dhe Perëndimore në vend.

Latest articles

Related articles