SPAK-u, kjo “parti” e re, përtej së majtës dhe së djathtës…

Artur-Zheji

Në rrokopujën e debateve, herë pjellore dhe herë shterpë, që kanë shpërthyer mbas arrestimit të Malltezit, ngrenë krye shumë tema. Sepse duke parë milionat “legale” të eurove në qarkullim, ndër oligarkë dhe ndër familjarë të politikanëve, po kuptohet gjithmonë e më shumë se ka dy Shqipëri paralele. Shqipëria e parë mbyll muajin me shtrëngesa të mëdha dhe ndjehet e burgosur në luftën e ashpër të së përditshmes. Shqipëria e parë bën shoping te “Gabi”, gulçon kur blen bukën dhe ushqimin e përditshëm. Fytyrëtrishtuar shikon me tmerr çmimet që rriten dhe shpesh qëndron e ngurtë dhe e mjerë, pas vitrinave të ndritshme.

Shqipëria e parë lumturohen kur fëmija e tyre gjen punë në emigracion, një punë çfarëdo, por që paguhet në euro. Është kjo Shqipëri që bëri turizmin të lëvizë hovshëm, duke mbushur radhët e armatës së pafund të kamerierëve, larësve të pjatave, larësit e makinave apo qëronjësit e patateve dhe qepëve, mjelësve të qumështit apo pastruesve të rërës dhe banakierëve. Pavarësisht se janë të paguar me thërrime, mundohen të hanë edhe ndonjë pjatë gjellë qyl te lokali i pronarit, që të ketë një kokërr vezë me shumë për vëllain e vogël apo një palë atlete të përdorura ‘fake’, për motrën në moshë fejese… Të përshkruash këtë Shqipëri që nuk ka zë të flasë dhe nuk jep dot kurrë një konferencë shtypi dhe që më së shumti vuan në heshtje dhe në vetmi të plotë, duhet të kesh një penë gjeniale.

Porse Shqipëria e dytë është më e thjeshtë për t’u përshkruar, sepse është shumë më e dukshme, shumë më e fryrë dhe shumë më pordhace padyshim. Banorët e kësaj Shqipërie të dytë bëjnë festa të mëdha dhe thithin shpesh edhe kokainë të cilësisë së lartë. Porosisin modën e fundit të teshave dhe makinave dhe rrahin gjoksin me vjedhjet e baballarëve, me trafikimin e suksesshëm të drogës, me ndërtimet e kullave dhe milionat e eurove që i numërojnë si kokrra kikiriku.

Oh, po! Këta banorë të Shqipërisë së superpasur kanë shije të hollë për gjithçka. Porosisin tulipanë dhe trëndafila nga Holanda e largët për festat e tyre! Veshin me shije të lartë dhe stilime të rafinuara dhjetëra mijëra eurshe, belin, gushën, pulpat dhe bythët e të përzgjedhurave të tyre. Hanë tërshërë bio, avokado, lëng frutash, pinë çaj jeshil 3.000 euro kg, apo konjak të vjetruar mbi 5.000 euro shishja. Madje, ka raste që edhe tualetet, (dmth nevojtoret apo dhjetoret) i veshin së jashtmi me gurë të çmuar zvarovski dhe i përmbytin me aromatizues firmato. Këto dy Shqipëri nuk mund të jetojnë përjetësisht në dy dimensione paralele dhe pra, të mos kenë pikëprerje apo përplasje mes tyre! Dhe këtu nuk flas për vjedhjet e vogla të mijëra shërbëtoreve që lajnë halet e familjeve të majmura dhe dembele, por për një përplasje shumë më të fortë.

Nëse SPAK-u do të ishte sot një parti politike, do të fitonte sigurisht dhe ndershmërisht shumicën e votave të shqiptarëve. Përtej së majtës dhe të djathtës! Sepse sot ndarja e “dy Shqipërive” nuk është ideologjike, por rrënjësisht ekzistenciale. Janë ushtria e madhe e “të Pabuksave”, kryesisht njerëz punëtorë dhe gjithmonë të panginjur me dinjitet dhe siguri jete dhe kjo Shqipëria e grabitqarëve, që më së shumti kanë krijuar pasuri marramendëse përmes dhunës, mashtrimit dhe kërcënimit. Për të mos lodhur lexonjësin mund ta mbyll me psherëtimën e një taksixhiu, ishbiznesmen i vogël i përmbytur nga taksat: SPAK-u sot na deh më shumë se rakia! Thënë të gjitha këto, mendoj se duhet gjithmonë të vigjëlojmë që drejtësia të jetë e drejtë, porse edhe kjo padrejtësia e pandëshkueshme, le të na hiqet qafe për ca kohë! Amerikanët kishin të drejtë: Politika nuk vetëpastrohet dot, se është grabitqare e lindur. SPAK-u po jep provat e para, përtej së majtës dhe të djathtës. Lajm i mirë ky.

Latest articles

Related articles