Duke marrë shkasë nga situatat e krijuar nga zjarret e shumta në territorin e bashkisë Vlorë gjatë muajve të verës e në vazhdim, në muajin shtator 2023, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak i sugjerova Kryetarit të Bashkisë Vlorë që t`i kushtoj vëmendje e veçantë strukturës së Zjarrfiksja Vlorë MZSH (Mjetet Kundër Zjarrit dhe Shpëtimit).
Prej muajit qershor 2023 e në vazhdim, situata e zjarrit në landfillin e mbeturinave të qytetit të Vlorës vijon të jetë shqetësuese për shkak të pasojave ekologjike që shkakton.
E njëjta situatë pothuajse përsëritet çdo javë.
Madje, java që sapo kaloi u shoqëruar me disa vatra zjarri, si, te landfilli i grumbullimit të mbetjeve të qytetit, në Babicë, në pyllin e Llogarasë, në Cerkovinë, Risili, etj., të shkaktuar nga keqbërësit.
Duke marrë shkasë nga kjo situatë, i kërkova informacion zyrtar Kryetarit të Bashkisë Vlorë dhe Drejtorisë së MZSH-së, lidhur me:
a. Gjendjen reale aktuale të MZSH;
b. Masat e marra për parandalimin e ndotjeve mjedisore, shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin;
c. Nevojat që kjo strukturë ka për rritjen e efikasitetit të punës së saj.
Kërkesa është jo vetëm për arsye informimi për situatën, por synon “shkundjen” dhe marrjen e masave organizative nga strukturat përkatëse në vartësi të Bashkisë, me qëllim rritjen e efikasitetit të këtij shërbimi për parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe shpëtimin nga dëmet që zgjarret shkaktojnë.
Drejtoria e MZSH me shkresën nr. 316 prot., datë 19.10.2023 me lëndë “Dërgojmë informacion mbi gatishmërinë dhe nevojat e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi”, më informon se, gjatë periudhës Janar-Shtator 2023, numri i përgjithshëm i daljeve është 517, të cilat përfshijnë situata zjarri në banesa, ndërhyrje shpëtimi dhe emergjence, ndërhyrje diegie makinash, diegie ullinjë dhe dru frutorë etj.
Ajo që është shqetësuese, është fakti i mungesës së logjistikës së nevojshme për shërbimin zjarrfikës, përfshi uniformat antizjarr, pajisjeve zjarrfikëse individuale dhe të përbashkëta, si dhe makina automjeti zjarrfikës. Ato automjete zjarrfikse që disponojnë aktualisht janë teje të konsumuara, që nga periudha e sistemit totalitar, të cilat më tepër kanë kosto financiare për riparimin e defekteve, sesa produktivitet. Me këtë logjistikë, është e pamundur që shërbimi zjarrfikës të jetë produktiv në masën që kërkojnë situatat emergjente të shkaktuara nga zjarret.
Gjej rastin ti bëj thirrje administratës së bashkisë, që të plotësoj kërkesat e shërbimit zjarrfikës për logjistikën e munguar prej vitesh apo të konsumuar dhe amortizuar nga koha dhe erozioni, si domosdoshmëri për përballimin e situatave emergjente. Gjithashtu, kërkoj nga Drejtoria e Zjarrfikses (MZSH) rritjen e gatishmërisë së strukturës së saj dhe hartimin e një plani masash efektiv për parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe shuarrjen e tyre në kohë reale.
Gjithashtu, u bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit, të Policisë Bashkiake, dhe të Shërbimit Pyjor, të marrin masat e nevojshme për identifikimin e autorëve që shkaktojnë vatra zjarri me pasoja ekologjike dhe jo vetëm, kapjen dhe procedimin e tyre sipas dispozitave të Kodit Penal.
Ju faleminderit.
Zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak
Myzafer ELEZI