Papa Françeksu thirrje për fundin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit: Lufta është humbje

Papa Fracesku kërkoi fundin e konfliktit mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, duke u lutur për lirimin e pengjeve, dhe vazhdimësinë e ndihmave për popullsinë në Gaza, raportojnë mediat e huaja.

“Lufta është gjithmonë një humbje, është një shkatërrim”, deklaroi Kreu i Selisë së Shenjtë, për besimtarët e mbledhur në sheshin Shën Pjetër në Vatikan.

“Edhe një herë mendimet e mia shkojnë për atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë. Jam shumë i shqetësuar dhe hidhëruar. Lutem dhe jam afër të gjithë atyre që po vuajnë; pengjet, të plagosurit, viktimat dhe familjarët e tyre. Mendoj për situatën e rëndë humanitare në Gaza dhe jam i trishtuar që spitali Anglikan dhe Kisha Ortodokse Greke janë goditur së fundmi. Ripërtërij thirrjen për hapjen e hapësirave në mënyrë që ndihmat të vazhdojnë të hyjnë në Gaza dhe që pengjet të lirohen. Lufta, çdo luftë në botë, dhe mendoj gjithashtu Ukrainën e martirizuar, është një disfatë. Lufta është gjithmonë një humbje. Është shkatërrim i vëllazërisë njerëzore. Vëllezër, ndaluni!” – u shpreh Papa.

Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin nga Rripi i Gazës më 7 tetor, duke vrarë të paktën 1,400 njerëz.  Bombardimet hakmarrëse të Izraelit kanë vrarë më shumë se 4,300 palestinezë, kryesisht civilë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Alarmi është rritur për një krizë humanitare në Gaza, ku Izraeli ka ndërprerë ujin, ushqimin dhe energjinë elektrike.

Latest articles

Related articles