Shefat provincialë janë një prej shkaqeve të prapambetjes sonë

nga Ergys Mërtiri

Mënyra sesi e kuptojmë të qenit shef dhe marrëdhëniet e varësisë në tërësi tregon mentalitetin nga buron kultura jonë mbi ligjin, politikën, shtetin, shoqërinë, por edhe individin, marrëdhëniet dhe dinjitetin njerëzor. Në njëfarë mënyre ne jemi aq të emacipuar saç arrijmë të ndajmë postin nga personaliteti.

Kur shohim një shef, qoftë ky politikan apo drejtues i një institucioni, që krenohet me postin e tij, që kolltukun e konsideron një objekt vetpërmbushjeje, që vartësit i shikon si njerëz mbi të cilët ka fuqi të urdhërojë, kjo mjafton për të parë tek ai provincialin primitiv, të paaftë për të njohur marrëdhënien njerëzore përtej hierarkisë së pozicioneve të punës në organizatë apo administratë.

Për ta pasur këtë më të qartë duhet kuptuar mirë dallimi midis midis autoritetit abstrakt institucional që ushtrohet nëpërmjet ligjit, nga sundimi individual që ushtrohet nëpërmjet vullnetit të drejtuesit si forcë shtypëse, e cila prodhon një situatë psikologjikisht varësie përuljeje dhe poshtërimi. E para nuk ka asgjë poshtëruese, pasi marrëdhënia ndodh brenda sferës impersonale të ligjit. E dyta bëhet e poshtëruese, pikërisht për shkak të karakterit kompleksiv të drejtuesit, i cili, duke përzjerë personalitetin e vet me postin, përfshin në këtë sferë edhe marrëdhëniet e tij me vartësit, të cilët i trajton si objekte nënshtrimi, në funksion të nevojës së tij për të ledhatuar sedrën e vet kompleksive.

Gashpar Miklosh Tomash, një filozof që vjen nga shkolla disidente e Budapestit, një përvojë ku mund të gjejmë ngjashmëri me kulturën tonë postkomuniste, bën një dallim interesant midis hierarkisë dhe shtypjes, që mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë këtë fenomen dhe të ndajmë liderin modern nga udhëheqësi apo drejtuesi totalitar provincial. Nëse i pari drejton dhe zhvillon një organizatë apo institucion, i dyti mundohet vetëm ta sundojë atë.

“Nëse nderon diçka të një rendi të epërm, diçka që pranohet se i përket një shkalle më të lartë sesa ti vetë, së këtejmi rezulton hierarkia e jo shtypja. Ideja e shtypjes vjen e ngjizet vetëm kur njerëzit fillojnë të dyshojnë që rregullat institucionale abstrakte fshehin thjesht vullnetin e huaj vetjak. Kjo përbën një nocion elementar apo thelbësor të tiranisë apo të sundimit arbitrar.”

Pikërisht ky mentalitet bën që marrëdhëniet e punës në Shqipëri të jenë problematike, çfarë është një prej arsyeve përse shumë njerëz emigrojnë. Karakteret banalë në karierë shkatërrojnë funksionimin e çdo institucioni duke i kthyer vendet e punës në mjedise ku shkelet me këmbë dinjiteti njerëzor. Do na duhet kohë deri sa të çlirohemi nga ky mentalitet që është një nga pengesat kryesore për tu zhvilluar.

Latest articles

Related articles