Gaz Bardhi i bardhë, i zi, laraman dhe pa bojë fare…


Prof.dr. Xhevdet Zekaj
Jetojmë kohë çudirash, kohë paranojash, surprizash, heronjsh e ëndrra të ikura për lesh. Fatkeqësisht sot më shumë se kurrë, kur shqiptarët kërkojnë një klasë të re politikanësh, largimin e modelit Berisha, Meta, Rama.
Në këtë ëndërr për largimin e të vjetërve nga politika, kur erdhi në skenë Gaz Bardhi i bardhë, u gëzova se ishte i qetë, vizionar, madje shumë i butë e njerëzor, aq sa më dha shpresë se do rregullonte dhe problemet e sojit të vet, ngaqë ishte akull i ftohtë për çdo vendimmarrje. Gaz Bardhi i bardhë na jepte shpresë se do mbronte votat që “ vjedh” PS, qoftë me detashmente si të Gëbelsit, apo me grupe paramilitare si ato që bënë gjëmën në Elbasan. Në fakt, Elbasani ishte rasti i parë për të kuptuar se Gaz Bardhi është i zi, madje katran. Pas zërit të tij meliodioz, delikat, gjysmë femëror fshihet një njeri ogurzi, i gatshëm të përdorë çdo lloj mjeti për të justifikuar qëllimin.
Gjithsesi, Gaz Bardhi i zi ishte dhe bukëshkalë ndaj Berishës, që e promovoi, e mbështeti dhe i dha pushtet. Gaz Bardhi i zi shkroi dhe vulosi vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD për arësye të “non gratës” me një gjakftohtësi si rrallë kush. Stoik si proamerikan, ai proklamonte të ardhmen e Shqipërisë pa Berishën. Gazi i zi ishte një Gëbels modern në fortifikimin e çeliktë të selisë së PD, edhe me mjete mbrojtëse e gaz lotsjellës, por gati edhe për vrasje në emër të proamerikanizmit, demokracisë, fundit të Berishës etj.
Kështu, në një kohë fare të shkurtër, Gazi i bardhë u në Gazi sterrë i zi. Gazi i bardhë u bë edhe Gaz laramani. Ditën ishte në beteja alla sançopançojë kundër Berishës, ndërsa natën flitronte me berishistët për një PD të re, që do të bashkonte opozitën dhe do të tmerronte Edi Ramën.
Gaz laramani harroi “non gratën”, harroi proamerikanizmin dhe ashtu krenar, por i dhjerë, nisi një betejë pa moral, pa principe me Berishën “non grata” për demokraci e fitore, për të mundur Edi Ramën. Laramani për pak pushtet bën pazare e ujdi edhe me djallin, duke besuar verbërisht tek antagonizimi me lulbashistët.
Natyrisht, sot Gaz Bardhi, pa bojë fare, profesionist si punonjëset e seksit që i falen dashnorit të radhës, kërkon të bëhet fanar ndriçues me Berishën në betejën kundër PD-së zyrtare.
Dhe si? Përse? Ku? Kur? Gaz Bardhi pa bojë fare do të bashkojë ata që i vrau, goditi, mbyti me gaz lotsjellës më 8 janar?! Ata që i flaku në emër të luftës proamerikane, ata, simpatizantët e shumtë berishistë që i talli, sulmoi për kongresin në “Air Albania” me këta të tjerët, që tashmë i ka braktisur, kur organizoi asamble në Pallat të Kongreseve.
Përse? Gaz Bardhi i bardhë, i zi, laraman, pa bojë fare kërkon pushtet dhe të jetë lidership me kulmin e amoralit politik, duke menduar se shqiptarët do gënjehen nga makutëria e tij idiote dhe pa shtyllë kurrizore.
Gazi pa bojë fare, i ulur në prehrin e Berishës, mendon se është Berishë. Mjafton të kujtojë se Berisha nuk harron asgjë, nuk harron vrerin e akuzat. Pra, Gaz Bardh laramani nuk do të bëj hajër, por ndëshkimi berishist për të do të jetë i tmerrshëm. Pasi ta shfytëzojë edhe pak, do të flaket si limon i shtrydhur Gazi pa ngjyrë e bojë.
Gaz Laramani i duhet më shumë se kurrë “non grates”, jo për ta shpëtuar apo ndihmuar, por thjesht për ta dobësuar Lulzim Bashën në numra deputetësh, i duhet për të shpresuar për vulën dhe selinë.
Ndihesh keq që kërkon klasë të re politike me alla gazbardhë të zi, laramanë, pa bojë e ngjyrë, sepse nuk ka shqiptar (madje dhe militantët berishistë) që të kuptojnë se sot janë me amerikanët e perëndimorët, që i kanë hequr vizën Berishës e Gazit.
Nuk mundet Lul Basha me gazbardhë të zi, laramanë e pa bojë, nuk ka shpresë Shqipëria nga “non gratat” dhe antiamerikanët, nuk ndërrohet kasta politike e vjetër me nisma e lidership alla Gaz Bardhi i zi e lataman.
Gaz Bardhi i bardhë, i zi, laraman dhe pa bojë fare sot është tema e tragjedisë dhe humorit shqiptar. Jepi Gaz, mprehe shpatën prej letre a kauçuku për të shkatërruar antiamerikanizmin dhe Lul Bashën…

Latest articles

Related articles