4
Tre shtetas përfunduan në pranga pas një operacioni antikanabis pasi dyshohet se kishin shndërruar banesën e tyre në një ambient për kultivimin e bimëve narkotike.
Përmes një deklarate për mediat, Policia njoftoi se në fshatin Trush të Poshtëm, në Bushat, një banesë e pabanuar ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
“Gjatë operacionit u zbulua se banesa e pabanuar ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike. Në pjesën hyrëse të banesës dhe në katër dhomat e saj u gjetën dhjetëra bimë narkotike të kultivuara në vazo, me anë të llambave elektrike.”, thuhet në deklaratën e Policisë.
Pas hekurave ranë Lorenc Treshi dhe babë e bir, Ded dhe Anton Laca.
Ndërsa mësohet se ka nisur procedimi penal për kryeplakun e fshatit Trush dhe të elektricistit, për moskonstatim të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike.
“Në momentin e ndërhyrjes nga ana e shërbimeve policore, në banesën e përshtatur si laborator, u kap në flagrancë duke u kujdesuar për bimët narkotike, shtetasi Lorenc Trieshi, 34 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Po nga këqyrja e banesës u konstatua se kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që shërbente për furnizimin e pajisjeve elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 82 llamba dhe aparate të ndryshme elektrike, 5 aspiratorë, si dhe u morën për ekspertim 123 bimë narkotike që ishin kultivuar në vazo.
Gjithashtu, nga kontrolli përreth banesës, në një ambient tjetër të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, u gjetën 2 mjete lundruese tip “Jet Ski”, pa dokumentacion.”, thuhet gjithashtu në deklaratën e Policisë.