“Rrugëtimi Europian i Gjeorgjisë, rëndësi thelbësore strategjike dhe politike”

Nga Ardit Gjinali

Gjeorgjia është një aktor i rëndësishëm thelbësor gjeopolitik në kontekstin e zhvillimeve të reja politike ndërkombëtare, rëndësi që buron nga pozicioni gjeografik përkatësisht në këndin lindor të Detit të Zi duke e shndërruar vendin potencialisht në një pikë lidhëse tregtare mes Europës dhe Azisë;- kjo pozitë e ka shndërruar vendin në një arenë përplasjeje gjeopolitike e reflektuar në një polarizim të skajshëm të brendshëm të dy dekadave të fundit politike, polarizim i vijuar përkatësisht me protesta të fuqishme, krizë politike dhe burgosje të politikanëve opozitarë;- në të njëjtën kohë, ngjarjet e vitit 2008 me sulmin Rus mbi krahinën e Ossetisë Jugore dhe Abkahzisë dëshmojnë rrezikun e ekspozuar të vendit kah agresionit të mundshëm ndërkombëtar Rus, agresion i kufizuar më gjerësisht dhe  për shkak të mundësisë së Moskës për të ndikuar në skenën politike të brendshme  përkatëse përmes aktorëve apo forcave të ndryshme politike; -nga ana tjetër,  mungesa tërësore e ndikimit në skenën politike të Ukrainës ishte një ndër arsyet e agresionit Rus mbi të njëjtën. 

Faktorët politikë në Gjeorgji kanë shprehur përgjithësisht dhe teorikisht  angazhime të vazhdueshme në kontekstin e miratimit mbi Integrimin Europian të vendit pavarësisht që përmbushja e angazhimeve mbetet një sfidë për tu përmbushur nga të njëjtët pushtet-ushtrues që angazhohen për të përmbushur kriteret që burojnë nga Proçesi. Vullneti i Bashkimit Europian mbetet i qartë dhe pozitiv për perspektivën Europiane të Gjeorgjisë përtej kushteve dhe kritereve që vijojnë të përmbushen pjesshëm apo problemeve të theksuara me sundimin e ligjit, pranueshmërinë e zgjedhjeve apo liritë politike, gjithashtu.

Ndër deklaratat më të spikatura të përfaqësuesve ndërkombëtarë mbi vullnetin për përkrahjen e perspektivës Europiane të Gjeorgjisë , mund të veçohen përkatësisht deklarata e vitit të shkuar, më Korrik 2022,  e Michael RUPP, përfaqësues i Drejtorisë së Zgjerimit në Komision Europian që theksonte “vullnetin e Unionit për ti dhënë kohë Gjeorgjisë për përmbushjen e kritereve dhe dëshironte të shikonte vullnet nga pala Gjeorgjiane për përmbushjen e kritereve”. Një deklaratë e rëndësishme në Shtator të këtij viti, që tejkalon të tillën më lartë të nivelit institucional, është e tilla e nivelit politik e shprehur përkatësisht nga Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme në Union , Joseph BORRELL që do të nënvizonte “ pa asnjë dyshim, Gjeorgjia i takon familjes evropiane” dhe në të njëjtën kohë do të theksonte qartësisht që “ Rusia do të jetë shumë e lumtur nëse ne nuk ia dalim për  ta integruar Gjeorgjinë në BE” ,  deklaratë e mbajtur krah Kryeministrit të diskutueshëm të Gjeorgjisë Irakli GARIBASHVILI, në një vizitë zyrtare  të të njëjtit në Tbilis, Kryeqytetin e Gjeorgjisë.

Në vijim të deklaratës, zoti BORRELL theksoi qartësisht që Gjeorgjia duhet të vijojë punën për përmbushjen e 9 Kushteve të mbetura, të njëjtat të vendosura nga Komisioni Europian për të fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ndër kushtet mund të përmendet përkatësisht ; reformë e qënësishme në administratën publike, forcim i pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, reformë zgjedhore e gjithë-pranuar, luftë kundër krimit të organizuar, sistem ekonomik i lirë, media jo e kapur nga pushteti, shoqëri civile e pavarur dhe aktive, vendimmarrje e hapur dhe transparente, rritje e pavarësisë së medias,  fuqizim dhe trajtim i paanshëm i të gjitha çështjeve korruptive nga Agjensia Shtetërore Anti-Korrupsion. 

Tre kushtet e plotësuara nga ana e Gjeorgjisë janë përkatësisht ;- zgjedhja e një Avokati Populli larg ndikimit të qeverisë, respektimi i kuotave gjinore në përfaqësim dhe përputhja me gjykimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe vijon të mbetet shumë për tu përmbushur që të realizohet marrja e statusit të vendit Kandidat si një proçes meritor, jo vetëm në kontekst gjeopolitik;-  një kontekst që përpiqet të shfrytëzohet politikisht nga qeveria vendase duke u përpjekur të shmangë përmbushjen tërësore të kushteve , të tilla kushte që janë parathënia  e goditjes ndaj modeleve qeverisëse demokratikisht të diskutueshme, ku modeli qeverisës Gjeorgjian është një shembull i tillë diskutueshmërie, i tilli jo vetëm në planin e brendshëm, por gjithashtu dhe në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përtej inkurajimit të zëshëm për rrugën Integruese të Gjeorgjisë të shprehur në rradhët më lartë, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme në BE, Joseph BORRELL shprehu kritika të qarta mbi ndërprerjen e kufizimit të fluturimeve me Rusinë nga ana e Gjeorgjisë, një akt jo i mirëpritur dhe jo në koherencë me veprimin e aleancës perëndimore ndaj Moskës zyrtare. Një shembull tjetër i qartë i diskutueshmërisë demokratike së qeverisjes Gjeorgjiane në standarte, është debati i madh shoqëror  me pasojë protesta të fuqishme qytetare kombëtare në kundërshtim të projektligjit mbi të quajturit “agjentë të huaj”, thelbi i të tillit kishte si objekt mediat dhe organizatat jo-qeveritare, të njëjtat që do të konsideroheshin si “agjentë të huaj” nëse do të rezultonte që përqindja e fondeve të përfituara nga burime të huaja të ligjshme dhe të deklaruara do të kalonin normën 20 përqind. 

Flukset e gjera të shoqërisë Gjeorgjiane, opozita politike, media, shoqëria civile, Presidentja e Republikës dhe faktori ndërkombëtar ndërtuan një koherencë kundërshtuese të zëshme duke detyruan qeverinë të tërhiqej nga një projektligj, tendencioz dhe më shumë se i diskutueshëm në tendencën për kapjen e medias dhe të organizatave të shoqërisë civile, gjithashtu. 

Përtej protestave të fuqishme qytetare, reagimi më i spikatur në nivel institucional Kombëtar ishte i Presidentes Salome ZURABISHVILI që theksoi qartësisht që do të vendoste veton nëse projektligji do të dërgohej për miratim në tryezën Presidenciale;- në të njëjtën kohë, reagimi më i spikatur në nivel ndërkombëtar, krahas të njëjtit të zotit BORRELL që do të shprehej “ një “zhvillim shumë negativ” për Gjeorgjinë dhe mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e vendit me BE-në”,  ishte nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, 

Ned PRICE , i njëjti theksoi që “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për këtë projekt-ligj që do të shkelte disa nga të drejtat që janë thelbësore për aspiratat e popullit të Gjeorgjisë”. 

Burgosja e ish-Presidentit Gjeorgjian SAAKASHVILI në Tbilisi është një fakt i përcjellë me jehonë ndërkombëtare negative në kontekstin e respektimit të të drejtave të Njeriut dhe lirive politike, saga e përjetuar nga zoti SAAKASHVILI përkatësisht me keqtrajtimin fizik, proçes gjyqësor tendencioz dhe mungesë e kujdesit minimal shëndetësor, e tilla e publikuar përmes zërit qytetar të aktivistëve dhe të njëjtit politik të përfaqësuesve opozitarë në vend, mbetet një njollë asfare e bardhë në arenën ndërkombëtare për vendin dhe një qeverisje , e tilla që teorikisht aspiron për përparim në rrugëtimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Europian. 

Polonia mbetet aktori politik më i zëshëm në thirrjet për transferimin e tij drejt Polonisë apo për një lirim të tij, një thirrje  që buron dhe nga vëmendja Polake ndaj rajonit në tërësi dhe për kontributin në frenimin e tendencave autoritariste të modeleve  të caktuara Qeverisëse. Në të njëjtën kohë, Presidenti Ukrainas ZELENSKY është shprehur qartësisht në përkrahje të zotit SAAKASHVILI duke e konsideruar burgosjen e të njëjtit si një shembull i trajtimit jo njerëzor. Presidenti ZELENSKY citohet si më poshtë ; “ Siç e dini, ata e helmuan dhe tani po e vrasin ngadalë. Këto foto tregojnë gjendjen e ish-presidenti gjeorgjian. Unë dua që media të shohë torturën publike me të cilën po përballen qytetarët ukrainas”.  Parlamenti Europian është hallka më e rëndësishme institucionale në hierarkinë e Bashkimit Europian që ka kërkuar lirimin e ish-Presidentit nga burgu në Mars të këtij viti dhe në të njëjtën kohë përcollën tek Presidentja e vendit kërkesën për faljen e tij.

Miratimi retorik Kryeministror Gjeorgjian mbi  liberalizimin e vizave nga ana e Rusisë mbetet një vendim tjetër i diskutueshëm që ka ngjallur diskutim dhe përplasje retorike përkatësisht mes Kryeministrit dhe Presidentes, e njëjta e cilëson si Rusinë si një pushtuese të rreth 20 përqind të territorit Gjeorgjian dhe nuk mund të ketë kurrfarë entuziazmi mbi nismat e Moskës në një kohë që Gjeorgjia mbetet e ekspozuar nga një agresion i mundshëm Rus. Kjo përplasje Presidente-Kryeministër mbetet një e tillë përtej dallimeve institucionale mbi funksionalitetin e Republikës, është një përplasje vizionesh mbi aleancat strategjike dhe mbi standartet e demokracisë në vend.

Një çështje e mprehtë gjeopolitike ,që ka shkaktuar një debat të ri të ashpër në vend , është mbi ndërtimin e portit të ri të Anaklias, një qytet i vogël strategjik që mund të shenjojë drejtimin gjeopolitik të Gjeorgjisë në të ardhmen jo të largët…një projekt i anulluar një vit më parë , përkatësisht më me pjesëmarrjen e kompanive Europiane dhe një investitori Amerikan dhe i rikthyer sërish në agjendë, i tilli jo transparent, me aplikime të papublikuara dhe të përfunduara përkatësisht në Qershor të këtij viti, një muaj përpara vizitës së diskutueshme në Pekin të Kryeministrit të Gjeorgjisë dhe takimit me homologun e tij Kinez, LI QIAING. Në të njëjtën kohë, dyshimet shtohen duke marrë në konsideratë deklaratën e drejtpërdrejtë të Ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës në Gjeorgji Zhou QIAN, që shprehet si më poshtë :- “Anaklia është e rëndësishme për suksesin e Korridorit të Mesëm dhe se Ambasada e tij do t’i nxisë kompanitë kineze të aplikojnë.” Koncepti i “Korridorit të Mesëm” konsiston në ndërtimin e një alternative infrastrukturore  për ta shmangur transitin përmes Rusisë dhe lidh Kinën dhe vendet e Azisë Qendrore me Evropën përmes Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit.

Brukseli ka shprehur interes të thelluar për pjesëmarrje në këtë projekt përmes synimit të pjesëmarrjes së kompanive Europiane, por zërat politikë kombëtarë , përfaqësues të opozitës dhe përfaqësues ndërkombëtarë janë të shqetësuar për mungesën e transparencës mbi projektin. 

Deputeti opozitar GOTSIRIDZE vijon kërkesat e vazhdueshme për transparencën e projektit pavarësisht heshtjes së organeve vendimmarrëse, në të njëjtën kohë i njëjti shprehet si më poshtë ; -“ Shqetësimi im është se kompanitë nga Perëndimi nuk do të përzgjidhen dhe do të jetë ndonjë kompani nga ndonjë vend, e cila mund të arrijë ndonjë marrëveshje me Rusinë”. 

Gjeorgjia është një Republikë e vogël, por shumë e rëndësishme strategjikisht;- opinioni publik i këtij vendi është në kufijtë e shumicës së cilësuar në përkrahje të Integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian, i njëjti është tërësisht reagues ndaj secilës formë të shfaqjes së autoritarizmit qeverisës jo vetëm përmes protestave qytetare por gjithashtu dhe  mundësimit të ndryshimit politik përmes votës përtej problematikave të hasura në proçese zgjedhore.

Kushtet dhe Kriteret e vendosura nga Komisioni Europian, të tillat për tu përmbushur përbëjnë kundërtrupin e nevojshëm ndaj secilës anomali autoritariste pushtet-ushtruese që cënon mirë-qeverisjen dhe vendos në rang diskutueshmërie standartet demokratike në tërësi; – aktualiteti i sotëm politik në Gjeorgji është dëshmia e një përpjekje të vazhdueshme shoqërore për konsolidim të demokracisë dhe nevoja për një vëmendje të thelluar ndërkombëtare përmes inkurajimit të përmbushjes së kushteve për Integrimin Europian është modeli më i mirë për të frenuar përhapjen dhe thellimin e modeleve politike Ruse të qeverisjes, të tillat përtej nocioneve gjeografikë. 

Gjeorgjia Europiane e ka vendin në BE dhe në partneritet të plotë strategjik me aleatët perëndimorë dhe porti i Anaklias është një ndër elementët thelbësorë infrastrukturorë që do të përcaktojë dhe drejtimin gjeopolitik të vendit, gjithashtu.

Latest articles

Related articles