Krijimi i tregut të përbashkët rajonal premton rritje të tregtisë, rritje ekonomike, hapje të vendeve të punës, rritje të lëvizshmërisë,

Krijimi i tregut të përbashkët rajonal premton rritje të tregtisë, rritje ekonomike, hapje të vendeve të punës, rritje të lëvizshmërisë, avancim të infrastrukturës dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, duke sjellë përfitime të panumërta si për qytetarët ashtu edhe për bizneset në Ballkanin Perëndimor. Në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit 2023, u.d. Drejtoresha e Sekretariatit të CEFTA-s, Danijela Gačević, theksoi zotimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor drejt bashkëpunimit rajonal të bëra në vitin 2020. 

Duke iu drejtuar sesionit me temë “Integrimi i rajonit në tregun e vetëm dhe përmirësimi i konvergjencës me BE-në”, Gačević tha: “Shtatë vendime jashtëzakonisht të rëndësishme janë dakorduar në nivel të ekspertëve dhe duhet të miratohen nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s. Ato kanë potencialin që jo vetëm t’i transformojnë ekonomitë tona, por edhe për të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Këto vendime, përfitimet e të cilave prekin nga mikro-ndërmarrjet tek korporatat shumëkombëshe dhe nga ekonomitë individuale familjare tek komuniteti i gjerë, ofrojnë rritje, prosperitet dhe mundësi të gjera. Megjithatë, ende nuk janë përjetuar përfitimet e mirëfillta – ndryshimet e prekshme që ndjehen në ekonomi familjare dhe tregje – pasi që këto vendime janë ende në pritje të zbatimit”. 

Gačević theksoi se zgjidhjet inovative në fusha si lëvizshmëria profesionale, lehtësimi i tregtisë, tregtia elektronike, shërbimet për dorëzim të pakove ndërmjet palëve dhe procedurat doganore, mund të realizohen vetëm kur bashkëpunimi rajonal të kalojë nga fjalët e thjeshta në veprime të prekshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në klimën aktuale të rritjes së inflacionit, i cili gërryen të hyrat reale, zbeh besimin e konsumatorëve dhe të biznesit, çon në norma më të larta interesi dhe kufizon fleksibilitetin fiskal të qeverisë. 

Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit 2023 shërbeu si një mundësi për të përmbledhur përpjekjet e kaluara dhe për të ofruar një pasqyrë të sfidave të së ardhmes. Konsensusi ishte se Tregu i Përbashkët Rajonal ka implikime të gjera shoqërore në Ballkanin Perëndimor. Kështu, kjo kërkon një qasje të sinkronizuar dhe konsistente nga të gjitha palët kyçe të interesit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi që vendimet janë sjellë deri në pikën kur plotësohen të gjitha kushtet që këto dokumente të miratohen nga Komiteti i Përbashkët, organi i vetëm vendimmarrës i CEFTA-s. Diskutimet prekën edhe kapacitetet e kufizuara të administratave të Ballkanit Perëndimor dhe zgjidhjet e mundshme. Të gjitha palëve iu rikujtua se Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal përputhet me strategjitë, rregullat, standardet dhe udhëzimet e BE-së, duke shërbyer si rrugë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Një sfidë e shtuar janë nevojat dhe prioritetet e ndryshme që ka secila ekonomi në lidhje me zbatimin e kësaj agjende. Megjithatë, ekzekutimi i suksesshëm mbetet me interes të madh publik, duke reflektuar drejtpërdrejt përparimin shoqëror. 

“Teksa ne si rajon kemi bërë shumë në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe krijimit të mundësive tregtare, puna nuk është e përfunduar. Zhvillimi i vazhdueshëm është imperativ për të korrur vërtet frytet e këtyre iniciativave”, u shpreh u.d. drejtoresha e Sekretariatit të CEFTA-s. CEFTA mbetet e përkushtuar për trajtimin e barrierave jo-tarifore, thjeshtimin e dokumentacionit për mallra dhe shërbime, promovimin e digjitalizimit të tregtisë dhe respektimin e politikave dhe standardeve të BE-së. Përpjekjet e përforcuara për të zbatuar Planin Ekonomik dhe të Investimeve, së bashku me iniciativat si Korsitë e Gjelbra CEFTA-TCT, pritet të përshpejtojnë zhdoganimin e mallrave dhe të minimizojnë kohën e pritjes në kufi. CEFTA kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në zgjerimin ekonomik. Në vitin 2022, tregtia e mallrave u rrit në 8.8 miliardë, duke shfaqur një rritje mahnitëse prej 112% që nga viti 2014. Barometri Ballkanik tregon se në vitin 2022, 61% e kompanive përfituan nga CEFTA, një rritje e dukshme nga 37% në 2015. 

CEFTA është optimiste se Plani i ardhshëm i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i shpallur nga Komisioni Evropian, do t’i përshpejtojë këto procese, duke i dhënë hov përafrimit socio-ekonomik të rajonit me tregun e vetëm të BE-së

Latest articles

Related articles