Nga heqja e sanksioneve te ndëshkimi i Serbisë, PD kërkon 3 amendamente shtesë në Rezolutën për Kosovën

Nënkryetari i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku ka kritikuar më herët gjatë ditës vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mos trajtuar disa çështje të rëndësishme në rezolutën për Kosovën.

Përmes një letre drejtuar Kuvendit dhe Komisionit për Politikën e Jashtme, Çollaku ka kërkuar që në rezolutë të përfshihen edhe 3 amendamente të tjera shtesë.

Ai kërkon që Parlamenti shqiptar t’i bëjë thirrje thirrje 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, 4 prej të cilave edhe anëtare të NATO-s, që deri më sot nuk e njohin Kosovën të hedhin këtë hap të rëndësishëm.

Po ashtu kërkon që parlamenti të kërkojë nga BE revokimin e masave shtrënguese ndaj Kosovës, si edhe qëndrim të qarte dhe masa ndëshkuese ndaj Serbisë lidhur me sulmin e 24 shtatorit.

Letra e plotë:

DREJTUAR: Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

                         Kryetare Lindita Nikolla

PËR DIJENI: Komisionit për Politikwn e Jashtme

                         Kryetare Mimi Kodheli

BAZA LIGJORE: Nenet 10/1, pika 1 gërma e); 71, pika 1; 99, pikat 3 dhe 4 të Rregullores së Brendshme të Kuvendit të Republikës së Shqipêrisë, miratuar me vendimin nr. 166, datë 16.12.2004.

E nderuar Znj. Kryetare

Jemi vënë në dijeni nga shtypi mbi tekstin e projekt rezolutës që parashikohet si pjesë e rendit të ditës për seancën plenare të datës 12.10.2023.

Bazuar në faktin që kjo projekt rezolutë nuk është parashtruar për shqyrtim nga Komisioni për Politikën e Jashtme, apo ndonjë Komision tjetër i përhershëm i Kuvendit, duke cënuar në këtë mënyrë mundësinë e parashikuar nga neni 71 i Rregullorës së Brendshme të Kuvendit për paraqitjen e amendamenteve në Komision; në faktin që teksti i rezolutës nuk na është vënë në dispozicion me qëllim paraqitjen e amendamenteve sipas parashikimeve të pikës 3 të nenit 99 të Rregullores së Brenshme të Kuvendit; me qëllim ushtrimin e të drejtave që Rregullorja sanksionon për deputetin, dhe me synimin për të dhënë një kontribut në përmirësimin e tekstit të projekt rezolutës po Ju dërgojmë amendamentet e mëposhtme për t’u parashtruar për diskutim në seancën plenare të datës 12.10.2023.

Kërkojmë që në tekstin e projekt rezolutës të përfshihen amendamentet si vijon:

Parlamenti i Shqipërisë i bën thirrje 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, 4 prej të cilave edhe anëtare të NATO-s, që deri më sot nuk e njohin Kosovën të hedhin këtë hap të rëndësishëm, jo vetëm për Kosoven por për paqen e stabilitetin në Ballkan dhe Europë. Kjo do t’i hapte rrugë Kosovës të nisë proceset e anëtarsimit në NATO dhe do t’i mbyllte çdo hapësirë Serbisë dhe vendeve si Rusia qe e perdorin ate per destabilizimin e rajonit.

Parlamenti i Shqipërisë i kërkon Bashkimit Europian revokimin e masave shtrënguese ndaj Kosovës ,pasi në kushtet aktuale ato po dëmtojnë në menyrë të padrejtë qytetaret e Kosovës. Ngjarjet e 24 shtatorit kërkojnë në reflektim edhe nga Bashkimi Europian në raport me Kosovën siç e ka theksuar dhe ndermjetesi europian Lajçak

Parlamenti i Shqipërisë bazuar në fakte të pakundërshtueshme për rolin e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit ndaj shtetit të Kosovës i kerkon Bashkimit Europian qëndrim të qarte dhe masa ndëshkuese ndaj Serbise, lidershipi i së cilës është angazhuar në akte dhe veprime që cenojnë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Deputet

Kreshnik Çollaku

Latest articles

Related articles