Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Kroaci, ku u njoftua se qëllimi ishte firmosja e një pakti për njohjen e kontributeve shoqërore mes dy vendeve. Por në fakt duket se kjo është vetëm alibia, pasi Rama ka shkuar në Kroaci për të mbështetur një prej biznesmenëve që ka fituar tender të qeverisë, Bashkim Ulajn.
Kanë qenë mediat kroate që kanë nxjerrë “sekretin” e Ramë, të cilat bëjnë me dije se në Kroaci do të inaugurohet hoteli “Met Boutique” dhe kryeministri shqiptar do të jetë aty i shoqëruar nga homologu kroat.
Lajmi bëhet i ditur nga media kroate “Tportal”. Sipas tij, bëhet fjalë për një hotel me 5 yje.

“Dy kryeministra do të dalin të hënën në hapjen zyrtare të hotelit “Met Boutique” në qendër të Zagrebit. Së bashku me Andrej Plenkoviçin tonë, eventin do ta zbukurojë kryeministri shqiptar Edi Rama”, thekson portali.
Më pas portali kroat i numëron bëmat biznesmenit: “Bumi i biznesit të Ulajt ndodhi pikërisht gjatë mandatit të Berishës, i cili drejtoi qeverinë shqiptare nga viti 2005 deri në 2013. Mediat shqiptare raportojnë se në vetëm pak vite, Gener 2 është kthyer nga një kompani anonime në një kompani lider në ndërtimin e rrugëve, duke fituar çdo tender. Kur Berisha u largua nga pushteti në vitin 2013, Ulaj u “kombinua” shpejt me grupin e ri në pushtet, të drejtuar nga Edi Rama, ndonëse shoqërohej nga zëri i “njeriut të Berishës”. Perandoria e tij e biznesit vazhdoi të rritet. Dhe një nga kontratat më të mëdha që Ulaj mori ishte koncesioni i autostradës Tiranë-Thumanë-Vorë, me vlerë 225 milionë euro”.
Po ashtu ky portal tregon se si Berisha falë Bashkim Ulajt mori zyrën ku qëndron edhe sot. Por dhe tregon lejet e ndërtimit që i dha Rama kur ishte kryetar bashkie.
“Ulaj është me origjinë nga fshati Vuthaj i Malit të Zi. Në vitet ’60, familja e tij u shpërngul në Shqipëri, në qytetin e Laçit, jo shumë larg Tiranës.
Ai u shfaq si një sipërmarrës ndërtimi në mesin e viteve ’90. Ndërsa kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama, Ulaj mori leje ndërtimi në lokacione atraktive të qytetit. Media vendase tregoi se në vitin 2004 ai i shiti tre apartamente me çmime simbolike familjes së kryeministrit shqiptar Sali Berisha”, theksohet më tej.