Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Kukës, ku socialistët arritën që të fitonin me rezultat të thellë përballë kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë.
Duke mos dhënë dot asnjë arsye se pse opozita humbi thellë në Kukës, Meta i ra shkurt duke thënë tha se rezultati i zgjedhjeve të Kukësit, i shtohet librit të zi të shkeljeve të zgjedhjeve të 14 Majit.
E ndërsa akuzohet nga brenda kampit të djathtë që është një ndër arsyet pse elektorati demokrat nuk e voton Rithemelimin, Meta në vend të shpjegojë arsyet e humbjes në Kukës, ka folur sërish për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, që sipas tij u pagua nga Tirana për të goditur opozitën.
Megjithëse asnjë nuk e kupton se cfarë lidhje ka McGonigal me zgjedhjet në Kukës.
Një gjë është e sigurt, libri i zi i zgjedhjeve, me këtë ritëm humbjesh do të bëhet edhe film.


