Psikiatri Neli Demi ka kritikuar me anë të një statusi në Facebook deklaratën e Drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i cili në një komunikim për mediat ku dha detaje në lidhje me autorin që plagosi me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave”, Edlir Alleshi, tha se autori rezultonte me probleme të theksuara me depresionin.
Psikiatri Demi tha në emisionin “Good Morning Albanians” se terminologjia e përdorur nga Vocaj ishte e gabuar dhe tregon se problemet e shëndetit mendor nuk njihen mjaftueshëm.
“Është shumë spontane që të reagoj në këtë mënyrë pasi kjo është pjesë e profesionit dhe misionit tim që nuk kufizohet vetëm në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor, por shtrihet edhe në edukimin dhe formimin rreth tij. Ky ishte një rast mungesë edukimi dhe informimi të profesionistëve në nivele të ndryshme, puna e tyre shpesh herë lidhet ngushtësisht me persona të cilët shpesh herë kanë probleme të shëndetit mendor”,-tha psikiatri.
Në postimin e tij duke kritikuar deklaratën e Vocajt, Demi ka shkruar:
“Edhe një herë për terminologjinë e përdorur nga opinionbërësit! Depresioni nuk është një fjalë që përfshin çdo lloj simptome apo çrregullim të shëndetit mendor!!! Depresioni është një gjendje e humorit të rënë ku në shumicën absolute të rasteve individët nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri për të tjerët por mund të jenë destruktivë në mënyra të ndryshme ndaj vetes. Aq më tepër kur termat e shëndetit mendor përdoren qesim pa pasur asnjë ekzaminim apo mendim profesional. Kjo gjë i shërben vetëm rritjes së stigmës për problemet mendore dhe diskreminimin e individëve që vuajnë nga to!!!”