Një luftë e re e ftohtë, më e keqe se ajo që kujtojmë

CHARLES A. KUPCHAN

Lufta e re e Ftohtë ka trokitur dhe duket se është krejt e pashmangshme. Tensionet midis Kinës dhe SHBA po rriten në hap me fuqinë dhe ambicien në rritje të Pekinit. Pushtimi rus i Ukrainës ka helmuar marrëdhëniet e saj me Perëndimin dhe ka afruar më shumë Moskën dhe Pekinin, duke vënë përballë një bllok demokratik të udhëhequr nga SHBA kundër një blloku autokratik të udhëhequr nga Kina dhe Rusia.

Por një luftë e ftohtë, e nisur tashmë midis SHBA dhe një blloku kino-rus, mund të jetë edhe më e kushtueshme dhe më e rrezikshme se ajo e nisur në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore midis SHBA dhe Bashkimit Sovjetik. Në vend që të përqafojë perspektivën, Uashingtoni duhet të bëjë një hap prapa, të mendojë për aksionet dhe të dalë me një plan për të shmangur një çarje gjeopolitike që do të rriste ndjeshëm rrezikun e një lufte të fuqive të mëdha dhe do të linte një botë të globalizuar shumë të ndarë për të menaxhuar problemet e përbashkëta.

Kina është, në fakt, një rival më i frikshëm sesa ka qenë ndonjëherë Bashkimi Sovjetik. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (PBB) sovjetik arriti në rreth 60 për qind të PBB-së së SHBA-së. Në të kundërt, sot, ekonomia e Kinës është në pozitën që do të kapërcejë atë të Amerikës gjatë dekadës së ardhshme. Dhe, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk ishte kurrë në gjendje të mbante ritmin me përparimet teknologjike të Perëndimit, Kina po zhvillon një sektor të teknologjisë së lartë në të njëjtin nivel me atë të SHBA. Sigurisht që ka shenja se edhe ekonomia e Kinës po ngadalësohet dhe do të rëndohet nga borxhi i brendshëm dhe rënia demografike, por me një popullsi që është më shumë se katër herë më e madhe se ajo e SHBA, Kina ka të ngjarë të dalë dukshëm përpara Amerikës në prodhimin ekonomik përgjatë gjysmës së dytë të shekullit 21.

Kina mbetet shumë prapa SHBA kur bëhet fjalë për peshën dhe shtrirjen gjeopolitike. Por historia e bën të qartë se, kur fuqitë e mëdha rriten ekonomikisht, gjithmonë pasojnë ambicie gjeopolitike ekspansioniste. Kina është pikërisht në këtë rrugë. Flota luftarake detare e saj ka më shumë anije luftarake sesa ajo e SHBA-së dhe forca e saj ajrore është e treta më e madhe në botë. Ushtria kineze tashmë është në gjendje të përballet me ushtrinë amerikane në Paqësorin perëndimor.

Pozicioni strategjik i Kinës do të përfitojë gjithashtu nga bashkëpunimi dhe afërsia gjeografike me Rusinë. Për pjesën më të madhe të epokës së Luftës së Ftohtë, Kina dhe Bashkimi Sovjetik ishin në mosmarrëveshje, duke e ndarë bllokun komunist. Moska nuk mund të punonte me Pekinin kundër Perëndimit. Por sot, Kina dhe Rusia janë partnerë të ngushtë.

Nëse shfaqet një luftë e re e ftohtë, Perëndimi ka të ngjarë të përballet me një bllok autokratik që shtrihet nga Europa në Paqësor, duke e detyruar SHBA-në të ndajë forcat e saj midis dy teatrove të largët. Forcat ruse dhe ato të NATO-s sot, gjeografikisht janë përballë njëra-tjetrës në Evropë. Ndërkaq, forcat e SHBA-së dhe të Kinës janë në afërsi rrezikshmërisht të ngjashme në Paqësor. Ky është një peizazh strategjik tashmë i frikshëm dhe i rrezikshëm dhe gati të rritet edhe më shumë.

Uashingtoni do të gabohej nëse supozonte se një luftë e re e ftohtë do të luhej njësoj si versioni i shekullit të 20-të, me demokracitë në njërën anë, autokracitë nga ana tjetër dhe Perëndimin që gëzonte epërsinë. Gjatë raundit të fundit të rivalitetit Lindje-Perëndim, bipolariteti e bëri konkurrencën gjeopolitike të parashikueshme dhe të kontrollueshme. Kjo situatë balancimi midis dy poleve dominuese të fuqisë solli një stabilitet të natyrshëm: SHBA dhe Bashkimi Sovjetik detyruan shumicën e vendeve të botës të rreshtoheshin në njërin apo në tjetrin kamp. Kampi demokratik, përfundimisht, e tejkaloi konkurrentin e tij autokratik, duke i mundësuar Perëndimit të mbizotërojë

Në të kundërt, bota e sotme po bëhet më shumë polare sesa bipolare. Peshat e rënda që po dalin ka të ngjarë të refuzojnë të marrin anë. Demokracitë perëndimore do ta kenë më të vështirë të grumbullojnë një koalicion mbizotërues kundër sfiduesve të tyre autokratikë në këtë botë shumëpolare. Sistemi ndërkombëtar do të jetë gjithashtu shumë më i rrëmujshëm dhe më i paparashikueshëm, dhe kështu, më i vështirë për t’u menaxhuar e stabilizuar, sesa bota me dy blloqe e shekullit të 20-të.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës na ka dhënë një pamje të shpejtë të kësaj të ardhmeje. Pavarësisht aktit brutal të agresionit të Kremlinit, më shumë se tre të katërtat e vendeve të botës kanë zgjedhur të qëndrojnë mënjanë, duke shpresuar të eliminojnë efektet shkatërruese të luftës në furnizimet me ushqime dhe energji dhe duke shmangur, njëherësh, futjen në kurthin e një raundi të ri rivaliteti Lindje-Perëndim. Shumë vende po qëndrojnë në hiret e mira të Kinës, e cila ka rritur ndjeshëm ndikimin e saj ekonomik e politik në të gjithë Jugun global përmes Iniciativës së saj “Brez dhe Rrugë”. Rreth dy të tretat e vendeve të botës tani tregtojnë më shumë me Kinën sesa me SHBA. Në shumë pjesë të botës në zhvillim, Kina është bërë burimi i parë huadhënës.

Fuqitë në dilemë përfshijnë demokraci të mëdha si India, Indonezia dhe Brazili. Gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli, ekonomia e Indisë ka të ngjarë të bëhet e dyta më e madhe në botë pas asaj të Kinës, ajo e Indonezisë do të bëhet e katërta pas Amerikës dhe ajo e Brazilit ka të ngjarë të jetë në 10-shen e parë. Nëse rivaliteti krijohet midis SHBA dhe Kinës, Uashingtoni thjesht nuk mund të supozojë se fuqi të tilla të mëdha, pavarësisht nëse janë apo jo demokraci, do të jenë pranë tij.

Të paktën tani për tani, SHBA mund të llogarisin partnerë të tillë të vjetër, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Japonia për të qenë aleatë të vendosur. Por ndikimi i tyre global është në rënie. Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, SHBA dhe partnerët e saj komandonin pothuajse 70 për qind të pasurisë globale. Në të kundërt, në vitin 2060, parashikimet tregojnë se demokracitë perëndimore do të përbëjnë më pak se 40 për qind të PBB-së globale. Kjo mund të duket si një rrugë e gjatë, por nëse një luftë e re e ftohtë materializohet, ajo nuk do të mbyllej deri rreth vitit 2070.

Për më tepër, aleatët tradicionalë të Amerikës mund të mos jenë të gatshëm të hedhin peshën e tyre kolektive përgjithmonë kundër Kinës. Shumë vende europiane mbajnë lidhje fitimprurëse tregtare me Kinën dhe po mbajnë distancë nga ndërtimi i duelit gjeopolitik midis Uashingtonit dhe Pekinit.

Demokracitë kanë demonstruar vazhdimisht qëndrueshmërinë dhe aftësitë e tyre për vetëkorrigjim – një historik që ofron arsye për optimizëm se Perëndimi përfundimisht do të rivendosë shëndetin e tij politik. Por, ndërkohë, ngecja e demokracisë liberale dobëson joshjen e modelit perëndimor dhe aftësinë e tij për të tejkaluar alternativat autokratike.

Bota e sotme është shumë më e ndërvarur se ajo e Luftës së Ftohtë, e cila ishte ndarë vetëm më dysh. Prandaj, rikthimi në një luftë tjetër të ftohtë do të sillte shumë më tepër dëm. Në shekullin e 20-të, ekonomitë perëndimore ishin në gjendje të lulëzonin pavarësisht marrëdhënieve minimale ekonomike me Bashkimin Sovjetik. Sot, përkundrazi, Kina është thellësisht e integruar në tregjet ndërkombëtare. Ashpërsimi i lidhjeve tregtare midis Kinës dhe Perëndimit, nëse do të vinte deri te kjo pikë, do të shkaktonte kërdi në ekonominë globale. Tashmë, SHBA kanë ndërmarrë hapa për të zhvendosur disa zinxhirë furnizimi nga Kina në vendet mike, për të mos i lënë Kinës akses në teknologjinë e nivelit të lartë.

Në këtë epokë të ndërlidhur, fuqitë e mëdha duhet të kapërcejnë linjat ndarëse ideologjike, jo vetëm për të menaxhuar tregtinë globale, por edhe për të adresuar prioritete të tjera të përbashkëta. Përkundrazi, acarimi i rivalitetit të fuqive të mëdha do ta bënte të paarritshme administrimin kolektiv të nevojshëm për të trajtuar problemet urgjente trans-nacionale.

Historia e bën të qartë se gara midis hegjemonëve aktualë dhe atyre që i sfidojnë në rritje, zakonisht priret të përfundojë me luftë. Ky nuk është një lajm i mirë, duke pasur parasysh probabilitetin e lartë që potencialiteti i Kinës së shpejti do të arrijë dhe më pas do të kalojë atë të Amerikës.

Ndërsa forca dhe ambiciet e Kinës vazhdojnë të rriten, Pekini dhe Uashingtoni në mënyrë të pashmangshme do të konkurrojnë për parësi. Aktualisht, mbitheksimi ideologjik dhe të menduarit që të çon “në shumën zero” po nxisin një spirale armiqësie reciproke.

Një luftë e re e ftohtë ka të ngjarë të jetë e pashmangshme, nëse Kina ndjek hapat e Rusisë në rrugën e agresionit ushtarak, qoftë kundër Tajvanit, qoftë kundër objektivave të tjera. Sidoqoftë, nuk jemi në këtë pikë, çka do të thotë se SHBA dhe Kina kanë ende mundësi për të formësuar rrjedhën dhe intensitetin e konkurrencës së tyre dhe për të kanalizuar marrëdhëniet e tyre në një kah me interes të ndërsjellë.

Edhe Pekini do të kenë nevojë për dialog të qëndrueshëm e konstruktiv dhe, madje, mund të përpiqen të krijojnë një model të udhëheqjes së përbashkët globale. Por ecja në këtë rrugë do të kërkonte një ndryshim mendësie në Uashington. Koncepti amerikan i përjashtimit, praktikisht nuk lë vend për një konkurrent të ngjashëm dhe, në këtë rast, perspektiva e një lufte të re të ftohtë bëhet shumë lehtë një prirje mbizotëruese. SHBA dhe aleatët e tyre fituan me lehtësi Luftën e Ftohtë. Por Uashingtoni tani mund dhe duhet ta heqë pluhurin nga i njëjti libër lojërash dhe të mos lejojë të shkojmë në një luftë tjetër të ftohtë. Ata mund e duhet të punojnë së bashku për të zbutur një botë që do të jetë shumëpolare dhe e ndërvarur. Të dy vendet do të duhet të mësojnë të jetojnë të qetë pranë njëri-tjetrit në një sistem global që është ideologjikisht i larmishëm dhe politikisht pluralist. Amerikanëve do t’u duhet të ndërmarrin një hap të imagjinatës politike, në mënyrë që të bashkëjetojnë me një fuqi të madhe, sistemin politik të së cilës ata e shohin kërcënues dhe në kundërshtim me angazhimin e tyre mesianik për përhapjen e demokracisë. Në të kundërt, alternativa që mbetet, është copëtimi i mëtejshëm gjeopolitik dhe thellimi i rrëmujës globale. Uashingtoni duhet të kërkojë marrëveshje me Pekinin për kufizimin dhe menaxhimin e konkurrencës. Të dy vendet mund të rregullojnë, psh, kontaktet ushtarakë-ushtarakë dhe të veçojnë diskutimet e çështjeve transnacionale, si ndryshimi i klimës, shëndeti global dhe tregtia, nga ato të çështjeve më të ashpra, si Tajvani dhe të drejtat e njeriut.

* Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, anëtar i shquar në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë të SHBA

(Përkthyer e përshtatur nga Zeno Jahaj)

Latest articles

Related articles