A është India, konkurentja e madhe e Kinës? Lexoni analizën!

Po lexoja pak ditë më parë mbi gjeostrategjinë e fuqive në Luftën e Dytë Botërore. Nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe. Sërish, pas kaq dekadash paqeje nën hegjemoninë amerikane, fuqizimi i Kinës ka risjellë përplasjen e Fuqive të Mëdha. Ato kanë hequr dorezat dhe po luajnë fort. Demokracia dhe pjesa tjetër e deklaratave për liritë janë dorashkat e bardha që veshin nëpër institucione ndërkombëtare, ndërkohë, siç ka qenë ndër shekuj, pushteti dhe fuqia financiare janë në plan të parë të secilit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët kërkuan që të nxirrnin jashtë loje britanikët dhe amerikanët duke krijuar vetë boshtin euro-aziatik. Pushtimi i Ukrainës dhe futja rreth 15 kilometër në brendësi të Rusisë për të krijuar zonë tampon ishte plani fillestar i ushtarakëve gjermanë. Ndërsa ata do të siguronin këtë front, tjetrin do ta siguronte Japonia imperiale. Euroazia e dominuar nga Gjermania kishte qëllim të nxirrte jashtë loje britanikët dhe amerikanët, si nga Azia, po ashtu nga Evropa. Kjo do të ulte peshën e tyre ndërkombëtare. Për kujtesë po risjellim edhe gjeostrategjinë e Francës nën perandorin Napoleon Bonaparte që mëtonte të nxirrte jashtë loje perandorinë britanike duke marrë Rusinë dhe Egjiptin dhe duke i bllokuar asaj aksesin në dy rajone të mëdha të botës – Afrikë, Azi.
Në Luftën e Dytë Botërore, gjermanët humbën. Krimet monstruoze mbi bazë etnike tek hebrenjtë dhe sllavët sollën urrejtje të drejtë dhe masive për një ndër regjimet më të frikshme në botë – nazizmin.
Gjeostrategjikisht, pas shumë dekadash, projekti evropian për të siguruar kufijtë evropianë në Ukrainë kthehet nën ombrellën e NATO-s. Euro-amerikanët, sot së bashku, janë të interesuar të bllokojnë imperializmin rus në Bashkimin Evropian – projekti më i rëndëisshëm politik i shekujve të fundit që ka siguruar paqe të qëndrueshme për Evropën.
Rolin e Japonisë dikur, sot ngjan se po e luan India. Ajo mund të shërbejë si avantposti i rëndësishëm në euroazi.
Së fundmi, në samitin e G20-ës, në Nju Dehli të Indisë, amerikanët dhe aleatët nisën një nga projektet më të mëdha në histori – infrastrukturor, strategjik dhe financiar. Projekti i jep fund varësisë energjetike ruse për evropianët dhe izolon boshtin sino-rus duke konkuruar “Rrugën e Mëndafshit” të Kinës.
Lufta në Ukrainë, nga dita në ditë, po merr kuptim për përmasën që po formaton rendin e ri ndërkombëtar.
Gjiganti i radhës në ekonominë botërore është India. Këtë fundjavë, amerikanët, Arabia Saudite, Bashkimit Evropian, India, Emiratet e Bashkuara Arabe, Franca, Gjermania dhe Italia nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që angazhohen të punojnë së bashku për të krijuar Korridorin Ekonomik Indi – Lindje e Mesme – Evropë (IMEC). Ky korridor pritet të stimulojë zhvillimin ekonomik përmes lidhjes së zgjeruar infrastrukturore dhe integrimit ekonomik midis Azisë, Gjirit Arabik dhe Evropës.

Shtëpia e Bardhë njofton në deklaratën zyrtare se IMEC do të përbëhet nga dy korridore të veçanta – korridori lindor që lidh Indinë me Gjirin Arabik dhe korridori verior që lidh Gjirin Arabik me Evropën.
Kjo është periudha kur do të na duhet të tregohemi të kujdesshëm, sepse vendet e vogla kthehen në monedhë shkëmbimi. E pamë një gjë të tillë me tentativën për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
©️ Sebastian Zonja

Latest articles

Related articles