Konviktor nuk të bën prejardhja apo vendqëndrimi, por mendimi Erion Veliaj

Veliaj në orvatjen tënde të dëshpëruar për të imituar shefin tënd në batuta e krahasime, dje ke guxuar të fyesh individët që qëndrojnë në konvikt. Kam përshtypjen se ke ngatërruar konviktin e bashkisë me konviktin e universitetit.

Konvikti politik i bashkisë, sigurisht që veç frymëmarrjes dhe frymënxjerrjes nuk kryen gjë tjetër në këtë jetë, për sa kohë ushqehet nga projektet që u jep ti me taksat tona dhe dalin në protesta me pankarta, ku veç organeve seksuale nuk citohet gjë tjetër. E thënë shkurt, pankartat e konviktit politik nuk janë gjë tjetër veçse gjuha jote që dëgjuam 24 orë më pare.

Konvikti i studentëve Veliaj nuk ka kurrfarë ngjashmërie me konviktin e bashkisë. Janë djem dhe vajza që lënë shtëpinë e tyre dhe përballen me qindra sfida në kryeqytet.

Sfida e parë fillon që me kushtet e konviktit që në parim duhet të ishin të përsosura nëse taksat në këtë vend nuk do të vidheshin, por do të administroheshin mirë.

Sfida e dytë vazhdon me koston e lartë të jetesës dhe studentëve u takon shpesh që të punojnë fort gjatë verës dhe mos të shkojnë në shtëpitë e tyre, në mënyrë që t’ua lehtësojnë pak barrën familjeve përkatëse, se qëllon Veliaj që jo të gjithë e kanë mamanë kursimtare si ti dhe jo të gjithë kanë shitur fiq.

Sfida vazhdon Veliaj me kryerjen e studimeve në kohë dhe gjetjen e një vendi pune në kryeqytet, ku ekziston gjithçka veç meritokracisë. E në përpjekje e sipër për të gjetur veten dhe për të pasur vendin e merituar në kryeqytet, studentëve u takon të hanë dhe baltën tënde mbi fytyrë.

Konviktor nuk të bën prejardhja apo vendqëndrimi, por mendimi Veliaj.

Fatkeqësia është se qëndrimet provinciale i gjen më shumë në kryeqytet se në provincë.
Fatkeqësia është se ti po mbështetesh nga burra e gra në moshë që janë lindur e rritur në kryeqytet dhe vetëshpallen si qytetarë, por nuk janë veçse konvikti politik i bashkisë dhe asgjë më tepër.

Post Scriptum- Ti nuk i vjen as te thoi i gishtit të këmbës një studenti në konvikt, qoftë nga karakteri, qoftë nga sfidat e kaluara.

Elona Caslli

Latest articles

Related articles