Zëdhënësja e PD-së Mirela Karabina në një deklarata për mediat foli për çështjen e inceneratorëve dhe koncesionin e sterilizimit. Karabina tha se për 8 vite, kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij kanë mbrojtur me pathos politikën e incenerimit të mbetjeve dhe projektet e qeverisë.
Më tej demokratja tha se kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë strukturën shtetërore të vjedhjes dhe korrupsionit të ngritur mbi inceneratorët dhe për promovimin e politikave të dështuara që kishin për qëllim shpërdorimin e fondeve të shtetit shqiptar.
Deklarata e plotë:
Për 8 vjet rrjesht, Kryeministri Rama dhe qeveria e drejtuar prej tij kane mbrojtur me pathos politikën e incenerimit të mbetjeve dhe projektet e “mëdha” të kësaj qeverie në këtë sektor.
Këto projekte, që u provuan nëpërmjet hetimeve të SPAK se, janë skema korrupsioni të ideuara, drejtuara dhe administruara nga nivelet më të larta të hierkisë qeveritare, i kanë kushtuar shtetasve shqiptarë 450 milion euro.
Me dështimin e skemës së korrupsionit të inceneratorëve, qeverisë së “përgjegjësive personale”, i ka lindur nevoja për një skemë të re të zhvatjes së parave të taksapaguesve shqiptarë.
Sipas të dhënave të disponuara nga Partia Demokratike, e të bëra publike edhe nga BIRN rezulton se Ilir Beqja, një tjetër zyrtar i lartë i qeverisjes që pritet se shpejti të mbajë përgjegjësi personale, në drejtimin e Agjencisë Shteterore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit te Ndihmës (SASPAC) e cila është në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama, i ka propozuar Qeverisë dy projekte për Qarqet Elbasan dhe Fier.
Këto dy projekte të cilësuara si “Unike me rëndësi kombëtare” parashikojnë të vjelin nga buxheti i shtetit shumën prej 113 milion eurosh, shumë e cila ndahet në 50 milion euro për qarkun Elbasan dhe 63 milion euro për Qarkun Fier.
Për të dy këto qarqe nga Qeveria e “përgjegjësisë personale” vetëm për projektet e inceneratorëve janë shpenzuar rreth 60 milionë euro.
Nga vjedhja tashmë e provuar e këtyre shumave kanë përfunduar në dyert e drejtëisë zëvendëskryeministra, ministra, deputet e funksionarë të tjerë të administratës shtetërore.
Një skemë e re vjedhje po lind nga dora e personit të dyshuar për korrupsionin me sterilizimin dhe check up, Ilir Beqja përpara se të futet në kategorinë e atyre që mbajnë përgjegjësi personale, po i jep Edi Ramës mundësinë e ndërtimit të projekteve të reja, të cilat sipas standartit të kësaj qeverie do të jenë vjedhje të reja mbi rrënojat e vjedhjeve të vjetra.
Edi Rama sot duhet të mbajë përgjegjësi për të gjithë strukturën shtetërore të vjedhjes dhe korrupsionit të ngritur mbi inceneratorët, duhet të mbajë përgjegjësi për promovimin e politikave të dështuara që nuk kishin për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve por veshjen dhe justifikimin politik të një skeme të pastër shpërdorimi të fondeve të shtetit shqiptar.
Sot është më i domosdoshëm se kurrë miratimin i ligjit për vettingun e politikanëve, si dhe miratimi i një pakete ligjore kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar, duke i hequr çdo pengesë dhe dhënë mbështetje të pakushtëzuar SPAK dhe organeve të drejtësisë për dënimin e korrupsionit edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë prej tij.