Ish kryebashkiaku Elvis Roshi ka marrë 250 mijë euro nga fondet e IPARD| BASHA kërkon hetim parlamentar

AZHBR-ja bëri me dije zyrtarisht për Median Amfora se nga Programi IPARD II kanë përfituar grante 540 subjekte të shpërndara në katër thirrje, pavarësisht se në të dhënat e publikuara në faqen e internetit [databaza në formatin “Excel” për secilën thirrje] ata kanë raportuar 30 kontrata më pak, pra në total 510 përfitues.

“Theksojmë se Administrata Tatimore ka të regjistruar ndër vite si Prodhues Bujqësor (Fermer) 92.174 individë, duke sqaruar se këta janë regjistruar direkt në AT vetëm për NIPT dhe nuk paguajnë detyrime tatimore”, sqaroi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për numrin e fermerëve që numëron Shqipëria.

“Pjesa dërrmuese e fituesve tek IPARD-i janë ‘start-up’-et dhe nga fermerët që sot numërohen me NIPT pranë tatimeve, është një numër jo fort i këndshëm të cilët arrijnë të aplikojnë tek IPARD-i”, konstatoi presidenti i “Shoqatës së Mbrojtjes së Prodhuesve Vendor”, Ervin Resuli.

AZHBR bëri me dije se në kuadër të Programit IPARD II deri më tani ka hapur 8 procese gjyqësore për kthimin e shumës së përfituar nga subjektet që kanë marrë parapagesë për realizimin e investimit, por që nuk e kanë realizuar brenda afateve të përcaktuara në kontratë ose raste abuzive që janë sugjeruar nga auditimi.

Nga 10 subjekte që ju kërkua kthimi i shumës, 8 nuk ju bindën AZHBR-së dhe ajo i ka dërguar në gjyq sipas radhës, “Aldo Jakupi PF” [Person Fizik], “Fiqiri Sinani PF”, “Mirjan Allka PF”, “Kavaljon SHPK”, “Abas Pere SHPK”, “Vasillaq Xhufka PF”, “Coast to Coast SHPK” dhe “Lorag SHPK”, që përfituan në total së bashku 1.145.760 euro.

Kthimin e fondeve e kanë bërë vetëm “Alb Berati SHPK”, i cili nuk u identifikua dot nga ne në listat e projekteve të AZHBR-së dhe “Altin Gega PF”, që kishte përfituar grantin 14.916 euro.

ROSHI

Elvis Rroshi e drejtoi Bashkinë e Kavajës nga viti 2011 deri në vitin 2016, kur ju ndërpre mandati për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit dhe fshehjes së një dënimi nga drejtësia në Itali, për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995. Më pas ai u dënua nga Gjykata e Tiranës me 60 orë punë në komunitet, për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Kur u largua nga drejtimi i bashkisë, Rroshi duket se zbuloi pasionin e tij për bujqësinë dhe më 5 gusht 2019 themeloi kompaninë, “KAVALJON”, që mendohet se ka qenë emri i vjetër i Kavajës. Ai aplikoi në IPARD dhe fillimisht mori 70.178 euro, për një serrë diellore, projekt që nisi më 4 maj 2021 dhe më vonë mori edhe 180.309 euro, për të nisur më 28 korrik 2021 rikonstruksionin e një godine me qëllim transformimin në bujtinë.

Por pasi mori në total 250.487 euro, “Rroshi u shpall në kërkim nga AZHBR”! Agjencia konfirmoi për Median Amfora se “KAVALJON” është një nga 10 subjektet që i është kërkuar kthimi i fondeve, pasi nuk ka përmbushur kriteret e zbatimit të programit dhe çështja i ka kaluar gjykatës.

PD komision hetimor parlamentar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, PD do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për korrupsionin me fondet IPARD, pasi sipas tij, paratë nuk shkuan tek fermerët, por për vila luksoze për klientët e qeverisë.

“Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve”, u shpreh Basha në një reagim në rrjetet sociale.

“Kështu ka ndodhur me megaaferën e inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë”, nënvizoi ai.

“Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit”, shtoi Basha.

“Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë”, tha Basha.

Latest articles

Related articles