Shtegtimi kombëtar francez në Shenjtëroren e Lourdes, tashmë 150 vjeçar, mbledh çdo vit, me rastin e solemnitetit të Fjetjes së Zojës së Bekuar, nga 6 deri në 10 mijë njerëz rreth Shpellës së Massabielle. I nisur në datën 11 gusht, aktiviteti me temën “Së bashku, të ndërtojmë mbi shkëmb”. përfundoi dje. Pesë ditët e shtegtimit, me praninë e përhershme të të sëmurëve dhe të shoqëruesve të tyre, vazhdimisht në qendër të vëmendjes së Shenjtërores, u programuan për të ofruar hapësira të begata reflektimi, përmes pranisë së prediktarëve të ndryshëm. Ndër temat e propozuara, kujtojmë atë të shtegtimeve historike, të Sinodit e sinodalitetit, të fundit të jetës, të kujdesit për mjedisin etj. etj.
Falë çasteve të dialogut, shtegtimi kombëtar francez dhe Shenjtërorja Mariane e Lourdes bëhen qendër e rëndësishme komunikimi ndërmjet Kishës dhe besimtarëve. Radio Vatikani – Vatican news – foli për këtë me Atë Michel Daubanes, rektor i shenjtërores.
Çfarë mund të na thoni për flukset, që rifilluan sivjet në Shenjtërore?
Në përgjithësi, shifrat janë inkurajuese. Ndonjëherë me të papritura shumë të këndshme. Si për shembull në shkurt, në festën e Zojës Lourdë, kur patëm një numër vërtet mbresëlënës shtegtarësh. Pra, duke kujtuar shifrat që kishim përpara Covid-it, planifikojmë t’i tejkalojmë në muajt dhe vitet në vijim.
Viti 2023 shënon 150 vjetorin e shtegtimit kombëtar. Cilat janë veçoritë e këtij përvjetori dhe si po e feston Shenjtërorja?
Nëse ky është i 150-ti për shtegtarët, është i pari për mua që kur jam emëruar rektor, më 1 shtator 2022. Po e zbuloj këtë shtegtim të bukur, pjesë e temës baritore të Shenjtërores, ftesës që Virgjëra i bëri Bernadetës për t’i ndërtuar një kishëz. Kishë, mbi shkëmbin, që është Krishti. Ndjehet fort kjo dëshirë për ta ndërtuar së bashku, si gurë të gjallë, ndërtesën që përbën bashkësinë e krishterë, shumë përtej vetë godinës. Ka konferenca, katekizma të ndryshme dhe çaste të tjera, të larmishme. E ka vend edhe për Mjekët e Shoqatës “Zoja e Shëndetit”, të gatshëm për t’u shërbyer të sëmurëve. Unë ngul këmbë shumë në këtë aspekt, sepse është tipik për Shenjtëroren. E veçanta e këtij viti është, ndoshta, entuziazmi i ri i shtegtarëve. Kemi edhe grupe të rinjsh nga DBR që sapo përfundoi. Ka gëzim, ka entuziazëm, ka besim të përtërirë! Dhe kjo është shumë e bukur”.
Programi është i pasur me shumë tema, trajtohen gjithashtu problemet e ambientit e, doemos, të fundit të jetës. A mund ta quajmë Lourdes kanal i privilegjuar komunikimi ndërmjet Kishës dhe besimtarëve?
Jam i sigurt. Propozimet e këtyre konferencave, me dëshmitë e tyre, zgjerojnë horizontin e secilit, duke u dhënë përgjigje pyetjeve të shoqërisë së sotme, pyetjeve të sotme. Pyetjet e shoqërisë së sotme na vijnë në shumë mënyra, e ne u përgjigjemi kolektivisht ose individualisht. Si rrëfyes, mund të dëshmoj se të gjitha këto pyetje vijnë në kapelën e rrëfimeve dhe se ne përgjigjemi përvujtërisht, duke ofruar këshilla që pastrojnë shpirtin nga mëkatet. Përpiqemi që komunikimi të zhvillohet me frymë edukuese e ndërgjgjësuese për problemet e shumta, që lindin sot. E mendoj se nuk mungon as sinodaliteti brenda Shenjtërores. Pas pandemisë Covid, ne ishim të trishtuar, të plagosur nga një farë izolimi. Tani e ndjemë fort ringjalljen e entuziazmit për Kishën, vërtet sinodal.
A është sinodale Lourdes, për vetë natyrën e saj?
Pikërisht. Të gjithë, pastruese, drejtoreshë, rektor, kapelan, të gjithë kontribuojnë në mirëqenien e shtegtarëve, të cilët largohen nga shenjtërorja me buzë në gaz e gëzim në zemër, sepse feja e tyre gjeti këtu pikërisht çka kërkonte. Ne të gjithë kontribuojmë për këtë, secili sipas detyrës. Dhe kjo është shumë e bukur!