Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me “koncesionin e sterilizimit”, ku ditën e sotme ku SPAK ka lëshuar 8 urdhra arresti, me masa të ndryshme, dy me masën ‘arrest me burg’ për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapajn. Ndërkohë për dy zyrtarë të tjerë u caktua masa ‘arrest shtëpie’ si dhe për 4 të tjerë u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.
Postimi plotë i Bashës:
Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre. Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj filozofie korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!



