Giorgia, benvenuta in Albania!

Nga Sebastian Zonja

Kryeministrja italiane Xhorxha Meloni ka ndërprerë pushimet në Pulia dhe ka mbërritur të hënën pasdite në Shqipëri. Ajo udhëtoi me traget, bashkë me familjen, për të mbërritur në qytetin e bukur të Vlorës. Do të qëndrojë dy ditë, shkruajnë italianët.
Përpara disa kohësh lexoja një libër të Pio Bondolit me titullin “Shqipëria, bregu i pestë i Italisë” që tregonte për strategjitë e Italisë në fuqizimin e Shqipërisë si partner në Ballkan përball ish-Jugosllavisë. Parimi ishte i thjeshtë – nuk mund të lejojmë influencën e një shteti të fortë në kufirin tonë detar, asokohe ish-Jugosllavia. Ndaj ishte pak a shumë detyrim – përcaktim aleanca e Ahmet Zogut me Italinë.
Sot, ku i dihet, me gjasë, ardhja e Xhorxha Melonit me traget në Vlorë mbart edhe ndonjë kuptim të fshehtë diplomatik.

Për më tepër, vjen në Vlorë, ku turqit do të ndërtonin një aeroport, por, siç duket, nuk bënë dot përpara me projektin e tyre.

Së fundmi, Italia ka rritur praninë e saj në Ballkan duke futur një negociator për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Është një hop cilësor në politikën ballkanike.

Xhorxha Meloni ishte në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar ku u diskutua edhe për Ballkanin. Po ashtu, një temë e rëndësishme ka qenë edhe pavarësia energjetike nga Rusia. Meloni, që në krye të herës, ndërmori dy hapa të rëndësishëm:
1. Ndalimin e emigracionit të paligjshëm duke investuar në Egjipt dhe Algjeri
2. Ndërtim gazsjellësi me Algjerinë.

Ka qenë Franca për një kohë të gjatë që ka bllokuar Italinë dhe Gjermaninë për këto gazsjellësa, sipas shumë medieve italiane, ndaj edhe kishte konfrontim të ashpër mes italianëve dhe francezëve kur ajo erdhi në qeveri. Franca, duke i cilësuar si zona ekskluzive të vetat këto rajone, ka sjellë probleme mes aleatëve për çështje të rëndësishme gjeopolitike në BE, siç është edhe përballja me Turqinë në Mesdhe.
Madje, akuza e fortë e saj se francezët “rrjepin” Afrikën e pastaj na thonë se “na mbytën emigrantët”, shkaktoi deri edhe përplasje diplomatike mes dy vendeve.

Sot ajo vjen si mikeshë në vendin mik përball, në Shqipëri, që ruan ndjenjat më miqësore ndaj Italisë.

Latest articles

Related articles