Kur Partia e Punës vari Havzi Nelën, atë vit Sali Berisha ka qenë sekretar i Partisë së Punës. Pra ka qenë anëtar tek partia e varësve-vrasësve. Ka qenë në krahun e vrasësve.
Sot pas 35 vjetësh nga vrasja, Sali Berisha del dhe mban tryezë për Havzi Nelën, synon ta pronësojë, ta përvetësojë dhe ta zaptojë anti-komunizmin dhe martirizimin e njerëzve që ngriheshin kundër partisë së tij të parë. Në vitin 1988, ai ka qenë shok dhe koleg me ata që e vranë Havziun.
Është absurde për një shoqëri, po totalisht absurde, që viktimat nga komunizmi, t’ia përkujtojnë sekretarët e Partisë së Punës.
Si rregull, viktimat duhet ta përkujtonin anti-komunistët, bashkëvuajtësit, disidenca aq sa ishte, brezat e rinj, liberalët etj. Ish-komunistët do të duhej të ishin rreshti i fundit. Të thonin po, kemi ardhur edhe ne sepse mendojmë se ishim gabim, jemi penduar dhe kaq.
Havzi Nela nisi të përkujtohet kur u shfaq Edi Rama. Sepse një nga firmëtarët për varjen e tij ishte Kristaq Rama, shok partie i Sali Berishës. Dhe Havziu i shkretë e martir, po përdoret sot jo si simbol i luftës kundër kriminelëve komunistë. Sali Berishës i duhet një hasmëri falso me familjen Rama. Duan të na e sheshin sikur familja Rama është në hasmëri me tribunë demokratike të Veriut. Kjo me qëllim për të mbajtur ndezur militantët.
Familja Berisha e familja Rama, po ndërtojnë kulla së bashku në mes të Tiranës. Ama Sali Berisha për të mbajtur të ndezur militantët e tij gjithnjë e më të paktë, iu shpall sikur familja Rama iu ka gjak borxh veriut. Qëllimi është se duke pasur militantë pas vetes, Berisha mundet t’i tregtojë ata, vendosmërinë e tyre ta përdrorë për tu bërë bashkëaksioner nëpër kulla të tjera.
Ne si shoqëri duhet të kemi problem me sjelljen komuniste, me strukturën komuniste të mendimit dhe me linjën komuniste të veprimit. Teatri falso i Sali Berishës i cili luftën kundër komunizmit synon të na e paraqesë si gjakmarrje të rëndomt me familjen Rama, nuk i shërben shoqërisë, i shërben vetëm biznesit të Sali Berishës.
Prova që anti-komunizmim duan të na e paraqesin si gjakmarrje, është Rrustem Gjata.
Rrustem Gjata, gjyqtar komunist i cili ka dhënë vendime politike më shumë e më të egra se Kristaq Rama, jo që nuk u shpall xhelat komunist por përkundrazi, Sali Berisha e bëri deputet e më pas kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa djalin e tij e emëroi kryetar të KQZ.
E Djathta Shqiptare, komunizmin duhet ta luftojë si komunizëm, me gjithë çka përfshin komunizmi. Nuk mund të degradojë deri në atë pikë sa disa komunistë si Kristaq Rama t’i shpallë xhelatë sepse ashtu i leverdis Sali Berishës, ndërsa disa xhelatë të komunizmit si Rrustem Gjata t’i shpallë demokratë të shquar sepse janë miq të Sali Berishës, kolegë e shokë partie para vitit 1990 në Partinë e Punës.
Prona mund të zaptohet, historia jo.