Nga Leonard Quku
Që pa gdhirë, Edi Rama lëshoi një vlug sharjesh drejtuar shqiptarëve pse ata zbrazën me të drejtë në rrjet mllefin e akumuluar përgjatë katër ditëve me radhë. Reagimet e arsyeshme dhanë efektin e duhur. Kryeministrit që shndërroi pushtetin e tij në klientelizëm me një pjesë të opozitës, dukshëm i është prishur gjumi.
Në “çarçafin e varur” që në pikë të mëngjesit, Rama u mundua të justifikohej se nuk i ka dhënë kullë Foltores, por se atë, rrokaqiellin – do ta ndërtojnë investitorë dhe biznesmenë zanatçinj në punën e tyre e assesi me zgjatime tek personazhet e politikës! Dokrra dhe përralla me mbret! Që nga pronarët e truallit e deri te njeriu më i thjeshtë i këtij qyteti e di se kush do ta betonizojë lulishten e fundit të Tiranës.
Fjalitë e stërzgjatura të mbushura me terma mllefosës, sharje e bullizime ndaj kujtdo që e ka vënë para përgjegjësisë si i kapur në pazar me gjysmëopozitën, tregojnë në thelb panikun që po përjeton kryeministri. Ai e di se elektorati i vet nuk do t’ia falë pazarin e kullës me kundërshtarin më të egër politik prej më shumë se dy dekada. Kullat ikonike dhe frazat idilike për gjoja transformim të Tiranës dhe Shqipërisë nuk mund të shërbejnë kurrsesi si shpagim për të.
Prandaj edhe sot që pa gdhirë gjithë ai “maxhallëk” u katandis në “gdhe” që po e ha krimbi!