Departamenti i Policisë Kufitare po vijon kontrollet dhe operacionet policore, për të parandaluar futjen e shumave të konsiderueshem të parave, në vendin tonë, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Në këtë kuadër në portin e Durrësit u finalizua operacioni policor i koduar “Fluksi 2”, i cili u mbështet në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, si dhe u bazua në analizën e riskut.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, shoferë të të cilit ishin shtetasit G. L. dhe V. E.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, i kryer duke përdorur metoda bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 82 550 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pikën kufitare konform ligjeve në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. L., 43 vjeç dhe V. E., 52 vjeç, të dy banues në Elbasan.
Ndërsa në Rinas, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të vendit, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm shtetasi K. M.
Në çantën e shpinës së këtij shtetasi, Policia gjeti 12 820 paund të cilat tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Londër, si dhe u sekuestrua shuma e parave.
Në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre 2 rasteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit dhe asaj të Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.