Kreu i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për ndërtimin e një godine shumëkatëshe pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke i bërë thirrje SPAK që të nisë hetimet.
Basha kërkoi të hënën hetimin dhe ndëshkimin e atyre që “e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëz”.
Sipas kreut të selicë blu, detyra e Partisë Demokratike është mposhtja e heshtjes shurdhuese që dëmton interesin publik dhe pastrimi i politikës përmes vetingut, si një domosdoshmëri për dhënien fund epokës së korrupsionit.
“Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë dhe nga ana tjetër e shndërron vendin tonë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre.
Kjo “omertà”, ky kod i heshtjes, prodhon një ekonomi të deformuar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te institucionet, të cilat shihen si legjitimuese të krimit dhe korrupsionit”, tha Basha.