Qeveria Rama fut duart tek kursi këmbimit. Bie në pikiatë euro

Euro e nis javën me rënie rekord ndaj Lekut
Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut e ka nisur këtë javë në rënie anormale, pas rritjes së javës së kaluar.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 102.87 lekë, në rënie me pothuajse tre lekë nga niveli ku mbylli javën e kaluar. Ky cilësohet edhe si zhvlerësimi më i fortë i euros ndaj lekut në një ditë të vetme, që është regjistruar ndonjëherë.

Rënia e kursit të Euros është reflektuar në përmasa të ngjashme edhe në kursin e valutave të tjera kryesore. Dollari amerikan u këmbye me 93.22 lekë, në rënie me 3.33 lekë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Paundi britanik u këmbye me 119.8 lekë, në rënie me 3.92 lekë nga fundi i javës së kaluar. Franga zvicerane u këmbye me 107.19 lekë, në rënie me 3.63 lekë krahasuar me ditën e premte.

Forcimi i monedhës vendase po ndikon negativisht sektorët eksportues të ekonomisë, që kanë të ardhura në valutë të huaj dhe shpenzime në lekë. Efektet më të forta mund të ndihen në sektorin e fasonerisë, ku mundësitë për të korrigjuar marzhet si rezultat i forcimit të Lekut janë të kufizuara. Forcimi i Lekut po ndikon negativisht edhe sektorët e tjerë, përfshirë turizmin, duke i bërë më pak konkurrues në shitjen e mallrave dhe shërbimeve për blerësit e huaj.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha dje se nga zhvlerësimi i euros bizneset shqiptare kanë shpenzuar 31 milionë euro më shumë këtë vit.

Tabaku theksoi se ka pasur më shumë kosto për bizneset, ndërsa parashikon ulje pagash dhe pse jo humbje vendeve të punës.

“Ndërkohë që deri më tani qeveria shqiptare ka grumbulluar 373 milion euro më shumë nga taksat si pasojë e zhvlerësimit të monedhës euro, pra më pak të ardhura në xhepat e qytetarëve”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale.

Sipas deputetes së PD, “ky zhvlerësim i euros i shërben korrupsionit dhe një shteti të kapur që qarkullon miliona informale duke pasuruar një pakicë dhe mbajtur në varfëri një shumicë. Duke goditur shtresën e mesme dhe duke thelluar pabarazinë”.

Latest articles

Related articles