Ali Ahmeti propozon dorëheqjen e të gjithë ministrave të BDI nga kabineti qeveritar

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti përmes një statusi në facebook i drejtoi një letër publike kryeministrit Dimitar Kovaçevski, duke thënë se ministrat dhe funksionarët e BDI-së do të japin dorëheqje, nëse do të votohen ndryshimet kushtetuese nga opozita.

‘DUKE u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do të votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”- shkruan Ahmeti.

Të martën më (25 korrik) Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese. Më pas ato duhet të miratohen edhe në seancën plenare, e caktuar që të mbahet më 18 gusht.

Ndryshimet e propozuara nga Qeveria kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës, si popull shtetformues.

Kjo parashihet me atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Bullgarinë, lidhur me identitetin, gjuhën dhe aspektet historike.

Marrëveshja me Bullgarinë, që pati për bazë “propozimin francez” i mundësoi Maqedonisë së Veriut që më 19 korrik të vitit 2022 të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).

Por, këto bisedime nuk do të mund të vazhdojnë për kapitujt nëse Shkupi zyrtar nuk përmbush kushtin kryesor të marrëveshjes, përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Latest articles

Related articles