Luli “ka vra për amerikanët”

Nga Indrit Vokshi

I thanë vrit Saliun, “e vrau”. E ka kaluar “testin”. Njëlloj si Saliu vrau për amerikanët në vitet ’90: Burgosi Fatosin. Vetë Fatosi akuzonte se po e burgos ambasadori amerikan.

E keni parasysh gojëdhanën mbi mafian; duhet me vra për mafian që të pranohesh në organizatë.

Këta që i bëjnë zhurmë Lulit kot, me metodën e vjetër se Lulit i merren gjërat me shantazh, nuk kuptojnë gjë hiç: Dje i merreshin me shantazh, dmth para 2021, sepse shkoje ankoheshe te Saliu dhe në emër të ruajtjes së balancës së tij me Saliun, kapje diçka. Sot mund të kthehet në të kundërt sepse për të afirmuar autoritet, mund ta detyrosh të godasë. Liderin e dobët mos e provoko kurrë, sepse është si hajduti që të hyn në shpi: të vret, nga frika se do e vrasës ti i pari.

Plus ata “skanë vra për amerikanët”, nuk kishin guxim ose nuk kishin rastin, ska shumë rëndësi. Prandaj është Luli, jo ata. Është keq kur nuk njeh vendin dhe radhën.

Këtij që ka vra për amerikanët, i lëshojnë në shpinë qent, analistë, gazetarë, ish titullarë, ish taksidarë që kanë mbledhur lek për bosët. Krejt normale, kur godet liderin historik që i bëri me prona, biznese, makina, pasuri, madje disave iu mësoi edhe aromën e femrës pasi nuk i qaste kush, ska dyshim që do të shkaktohet reaksion i madh. U ke cënuar simbolin e mirëqenies. Janë disa zagarë të cilët në bisedat mes gjahtarëve me njëri-tjetrin, lavdërohen si zagarë të zgjuar, pasi ata e kuptojnë fill se kur ti po u cënon të zotin vetëm nga ngritja e zërit. Dhe vërsulen vrik. Asgjë anormale për vende si Shqipëria.

Të qenit kështu realiteti, nuk e bën Lulin as më të mirë, as më të zgjuar, as më të bukur, as më brilant, madje nuk e bën as domosdo fitues. Ti “vret” për amerikanët por mund të rrish gjithmonë i dobët, besnik por i dobët. Varet nga ti, nga talenti dhe temperamenti yt.

E bëra ketë sqarim për t’i ndihmuar shqiptarët sadopak në të kuptuarit e politikës. Ngaqë kam parë që tallin Lulin. Skam ndonjë simpati specifike për Lulin por, nuk është për ta tallur. Prej 2005 në mënyra të ndryshme “ua ka ngrënë kokat” të gjithëve në PD (mos mendoni se është e lehtë). Atij librit “Misioni im” me të cilin talleni, i vlen vetëm titulli. Për aq është shkruar. Pjesa tjetër është kot (të na falin autorët e nderuar).

Amerika është perandori e re në Ballkan. Ka vetëm 30 vjet prezencë. E si çdo perandori e re, do këpusë lidhjet dhe rrjetet e vjetra të pushtetit dhe do vendosë superstrukturat e veta, organet e kontrolluara prej saj, si siguresa të ndikimit të saj. Shqiptarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të raportohen sa më me leverdi me krajlinë e re, siç janë raportuar historikisht me çdo krajli.

Ah, po, iu mbetet edhe të ulen tek lokali periferik me tre tavolina brenda e dy jashtë dhe të shajnë Sorosin..!

Latest articles

Related articles