Një mësim për çdo politikan të ri..!

Nga Indrit Vokshi

Djali i Sulltan Sulejmanit I, Bajazidi, u rebelua kundër të atit dhe nga frika se i ati do ta ndëshkojë, ai shkoi u strehua tek armiku i të atit, Shahu i Persisë, Tahmasp I.

Sulltani gjykoi se Shahu do ta përdorte Bajazidin për ta hedhur në territorin osman dhe për të ndezur luftë civile me qëllim përmbysjen e fronit sulltanor. Ndaj kërkoi t’i rishpallej luftë Persisë Safavide.

Këshillëtarët e këshilluan ndryshe. I thanë, jo luftë, nis negociata me armikun Shah Tahmasp – le t’i japim atij çfarë ka nevojë e t’i marrim çfarë kemi nevojë ne. Sulltani nisi negociatat, gjetën konsensus dhe Shah Tahmasp i lejoi njerëzit e Sulltanit të hynin në Persi dhe ta vrisnin Bajazidin aty ku ishte strehuar.

Bajazidi shkoi e u strehua në Persi, duke llogaritur gabim. Duke menduar se meqë Shahu është armik me Sulltanin, Bajazidi do të ishte i vlefshëm për të, pasi Shahu do të posedonte një armë për të shantazhuar vazhdikisht Sulltanin me luftë civile brenda perandorisë, kësisoji Bajazidi do të ishte gjithmonë i vlefshëm. Mirëpo Shahu e shiti Bajazidin, për të marrë në këmbim nga Sulltani diçka që i interesonte më shumë në planin e sigurisë sesa pasja e mjetit Bajazid. Për më tepër, Bajazidi nuk kuptoi se Shahut nga njëra anë mund t’i leverdiste pasja e një princi osman në shërbimin e vet si mjet shantazhi por, nga ana tjetër, kjo ishte thikë me dy prerëse; sepse Shahu njëkohësisht frikësohej se duke pasur brenda territorit të tij një princ osman me ushtrinë e tij, ky princ mundej t’i shkaktonte edhe Persisë destabilitet. Prandaj e hoqi qafe dhe ra rehat.

Kur po ndodhnin këto ngjarje, Perandoria Habsburge po priste një luftë Sulltan-Shah që të forconte pozitat në Hungari. Ata u habitën se si Sulltani e Shahu të cilët dukeshin armiq për vdekje, aq lehtësisht ranë dakord me njëri-tjetrin. Veziri i Madh Ali Pasha, shkoi i tha ambasadorit Habsburg Ogier de Busebeq: “Dy mbretër me fe të njejtë, merren vesh më mirë sesa ju mendoni”.

Pra ta dini, Sali Berisha, mund të shesë këdo që shkon e strehohet tek ai, për diçka më të madhe në mardhënie me Lulzim Bashën. Sikurse edhe Lulzim Basha mund të shesë cilindo, nëse i duhet të ndërtojë një mardhënie me tarafin Berisha. Pasi pak a shumë janë “me fe të njejtë”.

Dritan Prifti psh, i xhiroi videon Ilir Metës dhe shkoi u dorëzua tek Edi Rama. Rama i pati premtuar se nëse e publikon videon, do jetë deputet i PS. Kur Rama lidhi koalicion me Metën ai e shiti Priftin tek Ilir Meta, duke mos e bërë deputet. Pra e shiti për diçka më të madhe në raport me Metën.

Leksioni: Njerëzit e nivelit të dytë apo të tretë në hierarkinë e një organizate, nuk duhet të dezertojnë e të strehohen tek ata me të cilët organizata është në luftë. Mund tu duket sigurt për momentin por nuk është aq sigurt, pasi ekziston rreziku i lartë që ish organizata e tyre t’i kthejë në mall shkëmbimi, me qëllim për tiu dhënë mësim të tjerëve.

Është një shprehje: Pushteti u martua me fenë për t’i dhënë sundimit një fytyrë sa më njerëzore. Edhe sot, pushteti është martuar me disa fjalë si “Vota e lirë”, “Gjithëpërfshirja”, “Parimet demokratike”, “Respektimi i mendimit kundër..” etj. Mirëpo në të vërtetë pushteti vazhdon funksionon mbi ligjësitë e përhershme të cilat veprojnë prej qysh kur ka lindur njerëzimi.

Latest articles

Related articles