Veliaj prezanton projektet në këshillin bashkiak; nga Muzeu i Tiranës, Kopshti Botanik, deri tek stadiumi i ri “Selman Stermasi“

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi disa nga projektet që do t’i shtohen kryeqytetit, mes tyre Teatri i Ri, rehabilitimi i Kopshtit Botanik, stadiumi i ri “Selman Stërmasi”, si dhe Muzeu i Tiranës.

Ai tha se do bëhet një përurim zyrtar i Piramidës, e cila do të jetë qendra më e madhe e teknologjisë së inovacionit dhe digjitalizimit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin.

“Kemi disa projekte të reja të qytetit dhe njëri prej tyre është stadiumi i ri “Selman Stërmasi”. Sporti ka marrë, jo vetëm prej Tiranës Qyteti Evropian i Sportit, por vitet e fundit i kemi dhënë një impuls të jashtëzakonshëm.”- theksoi Veliaj.

Sipas tij, ka ardhur koha që Tirana të ketë një Muze të artit modern dhe se Galeria Kombëtare është në rikonstruksion.

“Muzeu i Tiranës është konceptuar te Sarajet. Ne mund të kemi bindje të ndryshme, por ligji thotë se vetëm Instituti i Monumenteve të Kulturës i shpall monumentet e kulturës. Kemi Sarajet, kur për herë të parë në Bashkinë e Tiranës kemi akorduar një fond për t’i blerë këto ndërtesa, ashtu siç bëmë me shkollën Kosova, kështu bëmë me ndërtesën e libohovitëve. Ndërtesa e Libohovitëve si investim do t’i kalojë Ministrisë së Kulturës, kjo do të thotë që nuk kemi detyrime financiare. Tek Sarajet është Bashkia e Tiranës ajo që do të bëjë investimin”,- tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se me aq evente e aktivitete që ndodhin në Tiranë, Pallati i Kongreseve mund të konsiderohet se është i ezauruar.

“Ne duam që në skajin tjetër të Tiranës, tek Bulevardi i Ri, të kemi qendrën e re të Konventave e Ekspozitave. Jemi në një proces gjyqësor, të cilit po i vjen fundi, për Kopshtin Botanik. Jemi në pritje të finalizimit të atij procesi. Stadiumi i Lojërave me dorë “Asllan Rusi” është një ngrehinë e kohës së Italisë, ka qenë hangar avionësh. Propozimi që kemi është që edhe aty të bëjmë një ndërhyrje e ta kthejmë vërtet në një arenë të basketbolli e volejbolli, ashtu siç i ka hije një qyteti evropian si Tirana”.- theksoi Veliaj.

Latest articles

Related articles