Një ilaç i ri eksperimental, donanemab, ngadalëson progresin e sëmundjes së Alzheimerit, duke ndihmuar në vonimin e përkeqësimit të shenjave klinike të sëmundjes dhe në ruajtjen e aftësisë për të kryer aktivitete normale të përditshme.
Rezultatet e provës klinike të fazës III, u publikuan në ”Journal of American Medical Association” (JAMA).
Ilaçi është një antitrup monoklonal që ndihmon në largimin e beta-amiloidit, proteinës në rrënjën e pllakave karakteristike të sëmundjes.
Eksperimenti, i quajtur “Trailblazer-Alz 2”, përfshiu më shumë se 1 700 pacientë me Alzheimer në fazën e hershme, të cilët morën ilaçin ose një ‘placebo’.
Pas rreth një viti e gjysmë, sëmundja kishte përparuar më ngadalë te pacientët e trajtuar me donanemab, rreth 35% te pacientët me forma më të hershme dhe 22,3% nëse konsideroheshin të gjithë pacientët.
Këto të dhëna përkthehen në një ngadalësim prej 4,36 muajsh.
Për më tepër, rreth gjysma e pacientëve të trajtuar me ilaçin e ri nuk kishin përkeqësim klinik për të paktën një vit, krahasuar me 29% të pacientëve që morën ‘placebo’.
Rezultatet e provës, pjesërisht të parashikuara tashmë në maj, vijnë disa ditë pas miratimit të plotë të lecanemab nga FDA-ja, një ilaç me një mekanizëm veprimi të ngjashëm me donanemabin.
Këto barna përfaqësojnë fillimin e një epoke të re të terapisë së sëmundjes Alzheimer.
Megjithatë, disa çështje mbeten për t’u zgjidhur, për shembull shtrirja e përfitimeve klinike në lidhje me rreziqet e këtyre trajtimeve.