Vedat Ademi: Muzika shqiptare ka nevojë për emocione dhe mesazhe të rëndësishme

Vedat Ademi është një nga këngëtarët më seriozë të muzikës shqiptare. Edhe pse prej 7 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka munguar me projekte muzikore për publikun shqiptar. Në daljet e tij të rralla në media, Ademi ishte në një intervistë në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu, ku foli për jetën në Amerikë dhe për tregun muzikor shqiptar.

Periudhën e verës, Vedat Ademi bashkë me familjen, zgjedh të qëndrojë në Shqipëri. “Nga fundi i qershorit deri në fillim të shtatorit e kaloj në Shqipëri bashkë me familjen, e shfrytëzoj këtë kohë për të takuar familjarë, për pak pushime si dhe për të punuar.”

Në 20 vite karrierë, këngëtari i ka qëndruar besnik stilit të tij muzikor. “Ndiej një lloj detyrimi ndaj vetes që të vazhdoj ta përfaqësoj veten po njësoj dhe të bëj atë që vërtet dua të bëj. Po kështu të përfaqësoj atë publik që ka të njëjtën shije muzikore me Vedatin. Pavarësisht se mund të jetë më i vogël në numër, unë jam në rregull me këtë. Nuk them të mos eksperimentosh, por brenda kuadrit tënd.”

Megjithatë, në distancë është më e vështirë për të kuptuar se çfarë kërkon publiku shqiptar. “Unë dalloj në shije muzikore. Pëlqej këngë që mund të jenë jo të zakonshme për publikun shqiptar. Fakti që jetoj në Amerikë ma bën pak më të vështirë të jem vazhdimisht në treg. Edhe pse teknologjia të ndihmon, prapë mundohem të ndjek dhe të shoh ato që vërtet pëlqej dhe muzikën që më ngop mua. Kur je larg nuk është aq e lehtë të shohësh se çfarë do publiku.”

Aq sa ka mundur të vëzhgojë, Ademi shprehet se muzika shqiptare ka nevojë për emocione dhe mesazhe të rëndësishme. “Muzika nuk është vetëm ritëm e të kërcesh. Ka ndjeshmëri. Shoqëria jonë nuk ka nevojë vetëm për gaz dhe hare. Shoqëria jonë ka shumë probleme sociale. Dhe kjo mania për të bërë vetëm hite vere nuk më pëlqen. Materialet e shpeshta nuk kanë cilësi ose mund të jenë të përsëritura. Edhe pse nuk më pëlqen të bëj kompetentin, në Shqipëri mendoj se nuk lodhen shumë, thjesht një ‘beat’, tekste të përsëritura dhe kaq. Infektohen nga njëri-tjetri, sillen vërdallë me bashkëpunime të njëjta dhe nuk japin ndonjë gjë. Vitet e fundit nuk ka një këngë që më impresionon, një këngë të bukur që ka një tekst që të rrëqethë dhe që të të japë emocion.”

Prej vitit 2016, Vedati së bashku me familjen u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Para se të merrja vendimin për të lënë Shqipërinë, e kam bërë për shumë vite vajtje-ardhje. Fillimisht qëllimi ishte për të marrë shtetësinë amerikane. Për shumë vite kishim sakrifikuar duke shkelur Amerikën çdo gjashtë muaj. Më pas morëm vendimin për të jetuar atje. Fillimi sigurisht që është i vështirë. Ne e dinim se çfarë na priste dhe ishim të përgatitur. Ka sfidat e veta, do pak kohë të përshtatesh me mentalitetin dhe rutinën.”

A është më e vështirë për një artist të gjejë veten në një vend të huaj? “Për një artist është më e vështirë dhe pak më e kufizuar. Në moshën që unë kam shkuar në Amerikë nuk ishte aq e lehtë, sidomos me pretendimin për të hyrë ne tregun amerikan. Është e vështirë sepse nuk je rritur në atë vend, nuk njeh mentalitetin ose gjuhën siç flasin ata. Pastaj edhe lidhjet janë të rëndësishme, njerëzit e duhur që mund të të ndihmojnë.”

Kjo nuk e ka penguar Ademin të zhvillojë karrierën e tij në kontinentin e largët. “Kam bërë disa koncerte me bende amerikane, performanca të suksesshme. Kam mbetur dhe vetë i habitur me reagimin e tyre. Kam punuar edhe me shqiptarët atje, në shtete të ndryshme të Amerikës dhe në Kanada.”

Vedati zbulon se nga djemtë e tij, i madhi ka talent në muzikë. “Djali i madh i bie pianos goxha mirë por nuk ka vokal për të kënduar. Ndërsa i vogli është 5 vjeç dhe mendoj është pak herët. I madhi i ka ngjarë edhe mamit të vet sepse ka prirje nga ana e ekonomisë, është shumë i mirë në matematikë dhe në shkenca. Është zgjedhur ‘First honour student’ (vlerësim nderi për nxënësit me arritje të shkëlqyera) dhe na ka bërë krenarë. Për mua rëndësi ka të vazhdojnë shkollën dhe të bëjnë atë që ndiejnë, normalisht unë do jem mbrapa tyre.”

I pyetur nëse ka menduar të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, këngëtari shprehet: “Kam dëshirë sepse festivalet kanë qenë trampolinë për mua dhe kanë qenë suksesi im. Por duhet një material që më përfaqëson mua dhe Shqipërinë.” Pas këmbënguljes së Andrit për një përgjigje më konkrete, Vedati tha: “Do ta kem parasysh, do ulem dhe do ta mendoj seriozisht.”

Latest articles

Related articles