Tirana përballë Dinamo Batumi, Shehi dhe Najdovski optimistë

Orges Shehi nuk zhbalancohet, Tirana i ka të gjitha mundësitë për të kaluar Dinamon e Batumit në sfidën e dyfishtë të raundit të parë në UEFA Conference League edhe pse skuadra ka ndryshuar shumë gjatë muajve të verës.

“Në këtë periudhë janë afruar shumë lojtarë, kjo fazë shpresoj të ketë shërbyer edhe për aspektin fiziko-tekniko-taktik, por dhe për aspektin e përshtatjes së lojtarëve që kanë ardhur”, ka theksuar trajneri bardheblu.

Kundërshtarët e kanë nisur sezonin disa muaj përpara dhe ky mund ë jetë një avantazh në aspektin fizik por Shehi bashkë me mbrojtësin Filip Najdovski sigurojnë se bardheblutë i kanë marrë të gjitha masat.

“Përballë kemi një kundërshtar që ka ndeshje në këmbë, por dhe ne shpresojmë të jemi aty ku duhet”, ka deklaruar Shehi. Ndërkohë, Najdovski është i bindur se bardheblutë janë një skuadër më e mirë se kundërshtari: “Ndoshta ata kanë avantazhin që kanë nisur kampionatin dhe janë në krye, por unë mendoj se Tirana është shumë herë më e mirë se Dinamo Batumi”.

Në vijim, tekniku u ndal te afrimet e reja që në thelb janë njihje të vjetra si Hoxhallari apo Doka, duke theksuar se ata do t’i japin një dorë të rëndësishme ekipit.

“Sigurisht që do të kemi shumë ndryshime në skuadër, ndoshta 60% e formacionit do të jetë i ndryshëm nga ai i sezonit të kaluar”.

Përballja Tirana-Dinamo Batumi do të luhet të enjten në orën 20:00 në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Latest articles

Related articles