“Shqipëria në BE brenda 2030”, Varhelyi: Duam të hapim kapitullin e parë të negociatave

Parlamenti Evropian miratoi raportin për Shqipërinë me 536 vota pro, 54 kundër dhe 32 vota abstenim. Raporterja për Shqipërinë e njëherësh hartuesja e raportit, Isabel Santos tha se njeh angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, pasi Tirana ka nisur të zbatojë reforma të vështira.

Ajo tha se viti 2030 është vendosur si afat për anëtarësimin, ndaj nuk duhet humbur kohë. Raporti vlerëson Shqipërinë si një partner të besueshëm që është plotësisht në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ndërsa, eurokomisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin Oliver Varhelyi vlerësoi punën e bërë nga ekipi shqiptar për procesin e shqyrtimit të legjislacionit, i njohur si “screening”.

“Procesi i shqyrtimit është në rrugën e duhur. Delegacionet nga Shqipëria vijnë të përgatitura mirë dhe angazhohen në mënyrë aktive në diskutime. Pra, shqyrtimi po ecën pa probleme, dhe Komisioni brenda ditëve do t’ia paraqesë Këshillit raportin e shqyrtimit”, tha ai.

Varhelyi shtoi se Tirana duhet të hapë bllokun e parë të negociatave brenda 2023. Ndër të tjera në raportin e miratuar thuhet se vendi ynë ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, sifida mbeten sigurimi i lirisë së medias, fuqizimi i shoqërisë civile, garantimi i të drejtave themelore dhe të drejtave të pakicave, përfshirë komunitetin LGBTI+.

Latest articles

Related articles