33 vite nga 2 korriku 1990 | Është ikje e detyruar dhe e pakthim


Nga Namir Lapardhaja

Ndonëse kanë kaluar 33 vite nga 2 korriku 1990, në gjithë këto vite, një gjë ka ngelur e pandryshueshme: dëshira për t’u larguar nga ky vend.
Largimi nuk ka qenë zgjidhje, por e vetmja zgjedhje që shqiptarëve iu është lënë në dorë.
Në ’90-tën, edhe pse për 45 vite me radhë iu ishte kërkuar të ishin të lumtur me pahir, ndërsa në këto 3 dekada të ishin të lumtur me dëshirë.
Ndonëse retorika dhe propaganda ka qenë në nivele ekstremisht të larta, qoftë para ’90-tës, qoftë pas saj, shqiptarët i janë larguar këtij vendi sikur të ishte një qenie lebroze, dhe i vetmi shpëtim të ishte largimi i menjëhershëm.
Sot, 33 vite pas futjes në ambasada dhe nisjes së shkërmoqjes së regjimit, situata është edhe më e keqe.
Nëse atëherë ikej dhe kishte një lloj shprese se ndofta një ditë Shqipëria do të bëhej, sot ajo shpresë është venitur më shumë se kurrë.
Sot askush nuk ka më shpresë, asnjë nuk thur më ëndrra, asnjë nuk ushqen më iluzione…, se ky vend mund të bëhet dhe se në këtë vend mund të rriten fëmijët.
Sot ata që qëndrojnë, e bëjnë një gjë të tillë nga pamundësia për të ikur. Të tjerë nga frika e përballjes me të panjohurën, ose dhe të tjerë nga një lloj rehatie pa rehati zgjedhin ta ngrysin jetën në këtë vend.
Si popull asnjëherë nuk zgjodhëm të përballeshim me të keqen. Ndoshta sepse ajo ishte reflektim i përbrendësisë sonë. Dhe askush nuk ka dëshirë të përballet me vetveten.
E lamë të rritet aq shumë saqë sot nuk kemi as fuqinë dhe as mundësinë për ta ndryshuar.
Ndaj vijon eksodi i ikjes. Nuk është një ikje si e popujve të tjerë përreth. Është një ikje ekzistenciale. Është ikje nga vdekja e shpresës dhe pamundësia për t’u përballur me veten. Është ikje e detyruar dhe e pakthim.

Latest articles

Related articles