Papa Françesku: populli ukrainas është çdo ditë në zemrën time

Në përshëndetjet pas Engjëllit të Tënzot, Papa përmendi sërish luftën në Ukrainë e, duke admiruar qilimin me lule në Via della Conciliazione, punuar nga duar artizanësh për festën e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, kërkoi lutje për paqen. Përqafoi nga larg “vëllain e dashur”, Patrikun ortodoks Bartolomeu, me rastin e pranisë së delegacionit të Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës në Romë
R.SH. – Vatikan

Infiorata, pra, një qilim i bërë vetëm me lule, realizuar me rastin e solmentitetit të Pajtorëve të Romës, Shën Pjetrit e Shën Palit, me temën e paqes, frymëzoi fjalët e Françeskut, pas Engjëllit të Tënzot. Duke admiruar lulet e bukura në udhën e Pajtimit (Via della Conciliazione), Papa foli për luftën në Ukrainë.

“Janë realizuar tapete të bukura me lule, që frymëzohen nga paqja. Kjo na thotë të mos lodhemi së luturi për paqen, veçanërisht për atë të popullit ukrainas, i cili është në zemrën time çdo ditë”.

Përqafimi për Bartolomeun
Më pas, Françesku përshëndeti delegacionin e Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, e cila, si çdo vit më 29 qershor, merr pjesë në kremtimin për solemnitetin e Apostujve Pjetër dhe Pal në Bazilikën e Vatikanit. Nesër, më 30 qershor, delegacioni do të ketë një audiencë me Papën:

“Përshëndes sërish Delegacionin e Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, që mori pjesë në festën e sotme dhe i dërgoj një përqafim vëllait tim të dashur, Shenjtërisë së Tij Bartolomeut”.

Latest articles

Related articles