Ish-ministri Arben Ahmetaj paraqitet për herë të dytë në SPAK

Ish-zv.kryeministri, Arben Ahmetaj është paraqitur sërish ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kjo është hera e dytë që ish-ministri i Financave thirret në SPAK, pasi është nën hetim për 4 akuza, shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash dhe përftimi të paligjshëm të interesave.

Theksojmë se më datë 22 qershor ai u thirr në SPAK, ku u mor në pyetje për herë të parë si person në hetim. Pas daljes nga dyert e SPAK-ut, Ahmetaj tha para gazetarëve se ishte paraqitur për të sqaruar pozicionin e tij në lidhje me hetimet.

Pak javë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili kishte bërë rekurs kundër vendimit për kontrollin e vilës në Hamallaj, në pronësi të bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha. Gjykata ka rrëzuar Ahmetajn dhe Hoxhën, duke lënë kështu në fuqi vendimin në Apelin e GJKKO.

Latest articles

Related articles