‘Po bëni hakmarrje personale’, Alqi Bllako akuzon prokurorin e SPAK: Do ju çoj në Strasburg!

Seanca e sotme gjyqësore (19 qershor) ku avokatët mbrojtës të të pandehurve për dosjen e inceneratorit të Fierit do të paraqisnin konkluzionet u kthye në një debat procedurial.

Ish deputeti socialist, Alqi Bllako, i cili në kohën për të cilën akuzohet nga prokuroria ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit hodhi akuza të forta ndaj Prokurorisë të Posaçme.

Kjo e fundit seancën e kaluar vendosi të kërkonte ndryshimin e akuzës duke rikthyer akuzën fillestare për “shpërdorim detyre” si funksionar i lartë shtetëror dhe jo si funksionar publik.

Bllako tha se rikthimi tek akuzat fillestare nga ana e prokurorit Dritan Prençi, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake, tregon se është orkestruar goditja e tij në kuadër të një axhende të caktuar.

Alqi Bllako pretendon se nuk ka qenë zyrtar i lartë publik, por funksionar i lartë civil, teksa paralajmëroi se shkeljet e konstatuara do ti ankimojë në KLP dhe deri në Strasburg.

“Shkelja e ligjit është aq flagrante sa nuk di nëse ka të bëjë me injorancën profesionale apo një hakmarrje personale. Vetëm SPAK mund të akuzojë për një detyrë që nuk ka qenë detyra ime. Standart i hapur esktraligjor, duke çuar përpara një axhendë hakmarrjeje personale ndaj personit tim”, ka thënë Bllako në seancë.

Në seancën e kaluar 12 qershor 2023, Prokuroria e Posaçme, paraqiti pretencën. Për ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka kërkoi dënimin 10 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.

Për ish deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua 7 vite, për shkak të pranimit të gjykim të shkurtuar prokuroria kërkoi përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj.

Latest articles

Related articles