Qeveria vendos “gjobë” për studentët e Mjekësisë , reagon deputetja e PD Eralda Tase Bano

Qeveria ka hartuar një draft përmes të cilit synon të nxisë bluzat e bardha të punojnë në Shqipëri. Përveç politikave lehtësuese ai përmban dhe ato shtrënguese.

Synohet që studentët e programit mjekësi e përgjithshme, duke filluar nga viti i ardhshëm të nënshkruajnë një marrëveshje paraprakisht me universitetin dhe dy ministritë, që pas studimeve, studentet do qëndrojnë të punojnë minimumi tre vite në Shqipëri, në të kundërt studentëve do tu propozohet çmimi real, i tarifës universitare. Sot studentët e mjekësisë nuk paguajnë tarifë për studimet.

Për këtë arsye ka reaguar deputetja e PD, Eralda Tase Bano, e cila ka thënë se “deklarata e Ministres së Arsimit për tarifat në Universitetin e Mjekësisë Tiranë ishte një rrufe në qiell të hapur”.

Zgjidhja e vetme që nuk duhet dhe nuk mund t’i jepet eksodit të mjekëve janë këto poshtërsi si kjo që pretendohet nga ministrja Kushi.

Së bashku me organizatat që mbrojnë interesat e studentëve të mjekësisë, ekspertëve ligjorë dhe kushdo që kupton se kjo vepër është antikushtetuese, do të ndërrmarrim hapat e duhur dhe të nevojshëm për ta frenuar këtë makabritet i cili cënon pikërisht të drejtën për aksesueshmëri të barabartë në arsim publik. Neni 57 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën për arsim.

Ministria dhe kushdo mendje e ligë që ka menduar këtë palaçollëk duhet të tërhiqen menjëherë. Nuk mbahet truri i vendit duke i kthyer në komunizëm e duke i vendosur nën presion. Ai mbahet duke krijuar një mjedis ku mund të lulëzojnë dhe duke forcuar institucionet vendase.

“Nëse mendon se edukimi kushton shtrenjtë, provo sesa e kushtueshme është injoranca.” – Andy McIntyre

Latest articles

Related articles