Berluskoni: I dhashë trëndafil të kuq, ajo qau, unë qava….

BRUNO VESPA – DASHURI DHE PUSHTET

Përktheu Beti Njuma

SILVIO BERLUSCONI

Berluskoni: I dhashë trëndafil të kuq, ajo qau, unë qava….

“Dashuria ime e parë? Kështjella e Baradelos në Komo. Isha në klasë të tretë fillore. Kishte kaçurrela të zeza. Nuk e kam harruar asnjëherë.”
Kur biseda me Silvio Berluskonin shket nga politika drejt ndjenjave, ai përpiqet të tërhiqet. Xhani Leta thotë se sipërmarrja është e pamundur (“Do të duhej një libër vetëm për të…”) por mandej, dimensioni ‘historik’ i rrëfimit e bind Kavalierin të çlirohet nga kujtimet, të cilat bëhen të papërmbajtshme.
“Në 1955-ën, duke ndjekur një kurs të frëngjishtes në Sorbonë, njoha vajzën e një korrespondenti britanik të luftës që banonte në Paris. Lindi një simpati e ngrohtë, por befas ajo më lajmëroi se të nesërmen duhej të largohej me të atin nga Parisi. Shkuam së bashku në Bois De Boulogne. Duke lodruar mes pyjeve, dhe jo vetëm, ajo nxori kaviljen. E mora në krahë dhe u drejtova për nga shtëpia e saj: metrotë ishin në grevë kështu që munda të ndaloj një taksi vetëm kur kishim arritur tek Etoile. Arritëm përballë derës dhe aty kuptova se nuk i kisha bërë asnjëherë ndonjë dhuratë. E ula mbi një stol dhe i thashë se do të kthehesha rrëmbimthi. Pak më parë, kisha vënë re një tufë trëndafilash të kuq, të ekspozuar në vitrinën e një dyqani lulesh, por paratë nuk më dilnin. Luleshitësja u mallëngjye. ‘Je italian, apo jo?’ më tha. ‘Merri të gjithë trëndafilat. Pjesën tjetër të parave ma sill kur të kesh mundësi.’ U ktheva te vajza me këtë tufë të stërmadhe trëndafilash. Ajo ia plasi të qarit. Ia vura në krahë dhe e shpura drejt derës. Pastaj zbrita poshtë, në rrugën përgjatë brigjeve të Senës duke rendur për dy orë pa i ndalur dot lotët.”
Historia nuk përfundon këtu. “Në 1994-ën u bëra Kryeministër dhe mora një letër: ‘Më mban mend, apo jo? Do të vij në Romë, mund të kaloj për të të përshëndetur në Downing Street-in tënd?’ Erdhi me të shoqin dhe me dy fëmijët. E pranoj se më la një farë mbrese….”
Mes moshës 16 dhe18 vjeç Berluskoni i kaloi pushimet verore në Rivierën e Adriatikut. “Bëja shumë sport: boks, kanotazh dhe kisha rezultate të shkëlqyera në njëqind metërsh. Fotot e atyre viteve janë ende krenaria e sime mëje. ‘Silvio është më i bukuri i plazhit’, thoshte pareshtur ajo. Në mbrëmje argëtoja publikun dhe këndoja në kafenetë verore në Miramare, Rimini dhe Katolika. Ishin shumë në modë suedezet….”
Pastaj erdhi periudha e kroçerave. “Kisha vënë bast me babanë tim se do t’ia dilja mbanë financiarisht me forcat e mia. Në verë, gjatë pushimeve të provimeve, merrja pjesë në kroçierat e anijeve Kosta në Mesdhe me Original Lambo Jazz Band e cila gjatë dimrit luante në Santa Tekla të Milanos. Merrja ‘tri rroga’, si këngëtar në mbrëmje, zbavitës për lojërat mbi urë gjatë ditës dhe si guidë turistike në qytetet e ndryshme ku mbërrinim. Ishte zbavitëse, por sigurisht që nuk bëhej fjalë për pushime!”
Mandej erdhi bashkëpunimi muzikor me Fede Konfalonierin, që në Milano ishte drejtuesi i orkestrës në të cilën Silvio i binte basit dhe këndonte. “Isha edhe përgjegjës për marrëdhëniet publike. Veçanërisht me vajzat e bukura”, më rrëfen kryetari i Forza Italia, “sepse ishin ato që vendosnin ku do t’i çonin për të vallëzuar shoqëruesit e tyre. Për t’i bindur akoma më mirë, vallëzoja edhe unë. Kur kthehesha për të kënduar, u kushtoja një këngë ‘për një zonjushe të sjellshme në sallë….’ Ua bëja qefin katër apo pesë vajzave njëherësh sepse të gjitha mendonin se kënga ishte për to. Dhe fundja, kishin të drejtë. Fedele tërbohej, sepse, thoshte ai, pa basin mungonte baza harmonike dhe ritmike dhe pas një debati më të ndezur sesa zakonisht, më pushoi nga puna. Brenda pesëmbëdhjetë ditëve lokali u detyrua të mbyllet, sepse i gjithë publiku femëror, me varganin e të përvëluarve, më kishte ndjekur pas në një lokal tjetër. Dhe Fedeles iu desh që bashkë me orkestrën të transferohej në Liban, pikërisht në vitet që atje ia kishte mbathur Feliçino Riva….”

Takimi me Karlan: Vuajmë vetminë…

“Gjithmonë mes tridhjetë dhe tridhjetë e një pikë, – vazhdon Berluskoni, – arrita të bëhem ekspert në kornizat e artit dhe të ngrija një aktivitet të vogël tregtar që vizitonte CRAL-in e kompanive të mëdha për të shitur, me kushte të volitshme, elektroshtëpiake të firmave Ignis, Chiminello dhe Lincoln. I ati i Fede Konfalonierit ishte përgjegjës i filialit të Milanos për Ignis-in, pronar i së cilës ishte kavalier Xhovani Borgi, xhaxhai i tij. Një zonjë kishte blerë një frigorifer dhe ne e kishin siguruar se do t’ia dorëzonim ditën e ditëlindjes së saj, që i binte e shtunë. Për fat të keq frigoriferi mbërriti në fabrikën e Komerios vetëm të premten në mbrëmje vonë, kur në filial nuk kishte asnjeri për t’ia dorëzuar. Por unë, që atëherë, mbajtjen e premtimeve e kisha çështje të pashmangshme nderi. Atëherë, e binda babanë e Fedeles që ta hapte personalisht magazinën të shtunën në mëngjes, mora me qira një kamion të vogël, e ngarkova frigoriferin dhe e transportova deri tek adresa e klientes. Ç’surprizë e pakëndshme! Banonte në katin e pestë dhe nuk kishte ashensor. Me ndihmën e portierit e ngarkova frigoriferin mbi shpatulla, ngjita të gjithë katet një nga një, me një stërmundim çnjerëzor, dhe e lumturova klienten tonë që ishte e sjellshme dhe e hijshme. … [ Më duket se kuptova se zonja e kompensoi me kënaqësi sakrificën e të riut Berluskoni. ] Që prej asaj dite konsiderata dhe respekti im për atë që ngarkon mbi kurriz ngarkesa të tilla është absolute. Kompania e vogël nisi të shesë edhe produkte të Siemens-it. “Kontribuova për hedhjen në treg të një tharëseje flokësh të lehtë, shumë të përparuar për atë kohë. Kur pas disa dekadash në pallatin Kixhi erdhi të më takojë presidenti i Siemens-it, i tregova episodin dhe ai u zotua të më gjente një prej atyre tharëseve për të ma dhuruar.”
(Ishte pikërisht ky momenti kur Xhani Letës, i cili ishte i pranishëm gjatë bisedës, i erdhi ndër mend se shefi i filialit italian të Siemens-it, Luixhi de Vekis, i kishte telefonuar për t’i thënë se e kishte gjetur një nga ato tharëset e flokëve në muzeun e kompanisë. Leta e telefonoi përsëri dhe dorëzimi i porosisë u bë të pasnesërmen: pajisja e zezë dhe me përmasa të vogla, ishte në formë konike të papërkulshme dhe pa krah, shumë e ngjashme me dorezat e vjetra të telefonave prej bakeliti. Në fakt, ishte një telefon tejet i përparuar për mesin e viteve pesëdhjetë, meqenëse mund të përdoret edhe sot nga ata që udhëtojnë. Berluskoni i premtoi De Vekisit se do ta vendoste në një nga dhomat ku ruante objektet e tij më të dashura.)
Në 1959-ën Berluskoni njohu gruan e tij të parë, Karla Elvira dal’Olion. “Kisha shoqëruar një shoqen time në stacionin qendror të Milanos dhe, teksa e përshëndesja me dorë, pashë një dorë tjetër që tundej para meje për të përshëndetur një djalë që kishte hipur në të njëjtin tren. E zonja e dorës ishte shumë e bukur. Dola nga stacioni dhe m’u shfaq e përqendruar duke ngulitur një vitrinë. Mora makinën te parkimi dhe u nisa për në shtëpi. Por, në ndalesën e autobusit të unazës ja ku më doli sërish para syve vajza e bukur tek ngjitej në autobus. ‘Po shkon në drejtimin tim’ mendova. ‘Nëse zbret më parë….’ Morali: nga stacioni në stacion arrita deri te sheshi Etiopia, në anën tjetër të Milanos. Ajo zbriti, mori drejt qendrës së sheshit, ndërsa unë i parapriva, parkova dhe i dola përballë duke ardhur nga drejtimi i kundërt. ‘Është e pabesueshme’, – i thashë, – po ju gjysmë ore më parë a nuk ishit në stacionin qendror? Ju pashë dhe ju admirova teksa përshëndesnit dikë… Ajo u skuq: ‘Po përshëndesja të dashurin tim….’. ‘Edhe unë të dashurën time. Por tani ama jemi vetëm. Vuajmë nga vetmia….’ ‘Kaq shpejt?’ Qe tamam ai moment kur duke huazuar një batutë të Alberto Sordit, i thashë: ‘Pikërisht në çastet e para vuhet më shumë….’. Ia rrëmbeva numrin e telefonit, nisa t’i shkoj pas siç i kishte hije dhe Karla u bë…. gruaja ime.”
U martuan pesë vjet më pas, në 1965-ën. Karla ishte 25 vjeç, Silvio 29. Në 1966-ën lindi Marina, në 1969-ën Piersilvio. Ndërkaq suksesi i Berluskonit si sipërmarrës ishte në rritje dhe në 1977-ën, në moshën 44 vjeçare, merr titullin Kavalier i punës, më i riu në tërë Italinë. Nga Karla u nda në 1985-ën, kur – siç do ta shohim – kishte njohur Veronikën.
“Me Karlën, edhe pas ndarjes, vazhdimisht kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer. Ka qenë një nënë e përsosur, ka rritur më së miri dy fëmijët tanë. Mes nesh nuk ka munguar kurrë dashuria dhe respekti, por Karla e kishte kuptuar se qe martuar me një burrë ndryshe nga ai që e konsideronte si bashkëshortin ideal. Cili ishte ideali? Dikush që kthehej në pesë në shtëpi, vishte pantoflat dhe i kushtonte asaj dhe fëmijëve tërë vëmendjen e tij. E shprehte hapur. Ndërsa unë, kthehesha në mesnatë, punoja edhe të shtunën pasdite edhe të dielën, sepse ato vite ishin vendimtare për afirmimin tim si sipërmarrës dhe nuk i kisha ende 56 mijë bashkëpunëtorët që do të kisha më pas. Gjithsesi, me Karlan, jemi takuar edhe pas martesës me Veronikën. Me Karlan kam kaluar disa herë pushimet në Bermuada, bashkë me Marinën, Piersilvion, Fedelen dhe Xhanin.”
Leta pohon: “Ishte një prani shumë e këndshme e një zonje me një maturi absolute”.
Përktheu Beti Njuma

Veronika: Kisha ftohtë dhe Silvio më dhuroi një batanije.

“Qëndrueshmëria e marrëdhënies tonë” më rrëfen Veronika Berluskoni “është ndërtuar me kalimin e kohës. Jemi si Duomo e Milanos, punimet e së cilës nuk përfundojnë asnjëherë. Mund të them se edhe sot e kësaj dite jemi në punë e sipër, duke e forcuar gjendjen tonë sentimentale me miqësinë dhe besimin. Unë e dua shumë tim shoq dhe mendoj se kam me të një marrëdhënie miqësore si në çastet e nxehta, ashtu edhe në ato të ftohta. Por nuk mund të pohojmë se e kemi vënë gurin e fundit derisa ta kemi përshkuar deri në fund rrugëtimin tonë. Nëse do të kemi ende ca vite përpara dhe marrëdhënia jonë do të zgjasë mund të themi se e kemi ndërtuar plotësisht një marrëdhënie të fortë dhe solide.”
Salla e ngrënies së vilës Belvedere ndriçohet nga ngrohtësia e fillim vjeshtës 2007-të. Dielli depërton nga kopshti i trëndafilave të parkut dhe në të djathtë ndriçon tryezën; ndërsa nga e majta, e përkëdhel drita veneciane e njërës prej pikturave më të nxehta dhe të gjalla të Kanaletos që kam pasur rastin të shoh. Solenne, esenca fisnike e meditimit të verës së akullt të Cascina Baricchi në Neviglie, shoqëron një bisedë që zonja Berluskoni e lë të endet lirisht nga arti te letërsia e deri te ndjenjat më të thella të një jete të dendur dhe të pasur me bilance, pavarësisht moshës ende të re.
Pavarësia e saj e gjykimit e ka shtyrë Valer Veltronin, në prag të kurorëzimit si lider i Partisë Demokratike, t’i kushtojë vëmendje në panteonin e ri të së majtës. (“Ejani me ne. Ju kam takuar në Kampidolio. Është e hapur dhe kureshtare. Një person i rrallë”). Gratë e PD-së reaguan keq (“Jemi të zhgënjyera dhe u ndjemë paksa torollake”). Ajo u shmang me mirësjellje. (“Faleminderit, por nuk mundem. Si bashkëshorte e liderit të opozitës kam një rol dhe e respektoj atë: ka kufij që nuk mund të kapërcehen”), por shtoi se të dëgjonte mbiemrin Berluskoni të shqiptohej nga një burrë i së majtës, për herë të parë jashtë një konteksti negativ, kjo e kishte befasuar. Dhe fitoi admirimin e të shoqit.
Prej më shumë se njëzetë vitesh shqetësimi kryesor i Veronikës ka qenë edukimi i fëmijëve dhe bilanci është plotësisht pozitiv: Barbara, vajza më e madhe studion filozofi në Universitetin Katolika të Milanos; Luixhi, më i vogli, ka nisur studimet në ekonomi në Bokoni; Eleonora ka kaluar një pjesë të verës me të ëmën për të mobiluar (me mobilie Ikea) apartamentin e vogël në Nju Jork, ku studion edhe ajo për ekonomi. Ka shumë unitet mes tre fëmijëve dhe prindërve, dhe ndonëse nuk janë më të vegjël, e ëma e konsideron një çështje nderi praninë, si rregull, për drekë dhe darkë. Përgjithësisht, i ati, është këtu të dielën dhe të hënën në mbrëmje, duke u ndarë për pjesën tjetër të javës mes vilës shumë të afërt San Martino D’Arkore, rezidencës së murgët e solemne, që është pallati Gracioli, në Romë dhe Çertozës në Porto Rotondo, me punët e përhershme dhe fantastike të kopshtarisë.
Silvio Berluskoni dhe Veronika Lario u njohën njëzetë e shtatë vjet më parë.
“Prej pak kohësh kisha marrë drejtimin dhe administrimin e teatrit Manxoni të Milanos, – më rrëfen ai, – dhe një mbrëmje, në 1980-ën, shkova në premierën e Brinjarit të mrekulleshëm të Fernand Crommelynck-ut, në të cilën luante Enriko Maria Salerno. Veronika qe protagonistja femër dhe në komedi, Salerno ishte marrëzisht i dashuruar pas saj. U mbusha plot admirim nga shfaqja e Veronikës dhe shkova ta takoj në kamerino për t’i përgëzuar, atë dhe Salernon.”
“Edhe sot e kësaj dite Silvio është i bindur se ai ka qenë takimi ynë i parë”, saktëson ajo. “Në të vërtetë, një vit më parë Alberto Lioneli luante në teatrin Manxoni me Erika Blankun. Unë punoja në një tjetër kompani teatrore, dhe një miku im aktor më kishte thënë se shtrohej një darkë në shtëpinë e pronarit të ri të teatrit. E njoha pikërisht atëherë atë që do të bëhej bashkëshorti im. M’u qep menjëherë, por me sa dukej pas një viti e kishte harruar….”
Nga takimi i dytë, vardisja zgjati katër muaj. “Një vardisje vetëm telefonike, sepse ajo ishte vazhdimisht sa andej këtej me kompaninë teatrore…”, kujton ai.
“Telefonata dhe përkëdheli” kujton ajo. “Telefonatat qenë të vazhdueshme. Kur aktroja në Romë, banoja në një shtëpi kallkan. Ai më dërgoi një batanije të butë e të bukur, dhe ky ishte një mendim shumë i ëmbël. U takuam përsëri në Romë.”

Duhej të vinim pikat mbi “i” në jetën tonë
“Unë isha drejtor i gazetës Tempo, më tregon Xhani Leta, me të cilin Veronika është shumë e lidhur. E njhja Berluskonin si sipërmarrës televiziv, por ishim takuar veçse ndonjë herë. Një ditë kërkoi të më takonte dhe më tha: ‘Pasnesër debuton në Quirino kompania teatrore e Enriko Maria Salernos. Protagonistja është një aktore shumë e zonja, fantastike. Sikur t’i jepje një dorë…’. Kritiku i teatrit në gazetë ishte Xhorxho Prosperi: me shumë autoritet, shumë i rreptë, dhe të cilit nuk i kisha rekomanduar kurrë askënd. E vura në dijeni për Veronikën, dhe ai më telefonoi që atë natë të premierës, pas shfaqjes: ‘Shiko, është vërtet e zonja. Me kënaqësi do të shkruaj mirë për të…’”
“Veronika ishte përnjëmend shumë e talentuar”, vijon Berluskoni. “E mprehtë, kureshtare, e ndjeshme, inteligjente. Kishte studiuar në liceun artistik dhe vizatonte shumë bukur. Nuk e kishte ndjekur universitetin sepse që në moshë të vogël kish humbur të atin dhe i qe dashur të punonte për të jetuar, duke zgjedhur të merrej me teatër…” Kësisoj Lela Bartolini mori emrin e artit si Veronika Lario.
Kish ardhur në jetë në 1956-ën nga Flora, një grua shumë e bukur e Rovexhos, që punonte si arkëtare te Standa, dhe nga Vladimiri, nëpunësi i një ndërmarrjeje shtetërore, i apasionuar pas skulpturës, gjë që do t’ia trashëgonte së bijës.
Nga ai pasion ka mbetur vetëm një relike, për të cilën i lutem zonjës Berluskoni të ma tregojë. Është një figurë mashkullore nudo, me qëndrim dramatik, që përpiqet të mbrohet me krahë nga një rrezik i panjohur. Lëvizja është tipike nga ato të ushtrimeve shkollore të një niveli të përparuar dhe skulptura ka hijeshi dhe karakter. Me një fjalë, një goxha punë. “Ime më e kishte ruajtur allçinë”, më rrëfen ajo, – dhe, për të shmangur thyerjen, e ka derdhur në bronz. Kështu një ditë e solla në shtëpi. Por e polli dreqi! Duke u kthyer një mbrëmje në shtëpi, i shoqi e pyeti: “Çfarë është kjo gjë e lemerishme? Veronika, ku e ke blerë? Sa e ke paguar? Nuk mund ta kthesh mbrapsht?” Kur njëra nga vajzat i tha se ishte e imja, shtangu. “Epo, fundja nuk është edhe aq e shëmtuar…”, tha. Dhe e la aty ku ishte.
Por të kthehemi në vitet e saj rinore. Që fëmijë shfaqi përnjëherësh njëfarë karakteri dhe, në moshën tetëvjeçare, refuzoi të bënte kungimin e parë. “Sidoqoftë”, – më shpjegon, – “kam ruajtur kurdoherë brenda vetes një ndjenjë të fuqishme fetare, ndonëse kam qenë shumë pak praktikante. E konsideroj veten besimtare, madje sigurisht që ndihem katolike. Besoj te misteri i një entiteti superior dhe e ruaj përbrenda. Përpiqem që gjërat që bëj t’i lidh me një ndjenjë fetare. Përpiqem t’i inkuadroj në një kontekst moral. Nuk do të jetë e mjaftueshme, por kjo është ndjenja që më shoqëron edhe sot e kësaj dite.” Mësuesit e liceut artistik të Bolonjës e kujtojnë si një vajzë të përkorë, që ndryshe nga sa ndodhte me shoqet e saj në vitet shtatëdhjetë, nuk vishte kurrë minifunde. “Pasioni im qe skulptura dhe do të më kishte pëlqyer të vazhdoja, por më tërhiqte pa masë teatri. Ndiqja pak televizion, dhe ato që shihja ishin mbi të gjitha komeditë. Nëse sot njoh Gilberto Govin dhe një gjeneratë të tërë aktorësh larg gjeneratës sime, për këtë i detyrohem pasurisë së jashtëzakonshme të Rai-t, që më ka mundësuar mua dhe fëmijëve të mi të shohim Lionelon dhe Gasmanin. Do të ishte e pafalshme nëse kjo pasuri do të humbiste. Në vajzëri nuk isha e sigurt nëse doja të bëhesha aktore ose jo. Gjithsesi u regjistrova në kurset e recitimit të Antonianos në Bolonjë dhe e shtyva për një periudhë kohe, ca nga nevoja e ca sepse njoha një djalë me të cilin nisa të bëj audicionet e mia të para teatrore. Më morën në Teatrin Stabile në Firence, ndërsa ai shkoi të punonte me Xhulio Bosetin. Ishte i dashuri im i parë: shkova me të në darkën e rrugës Rovani, në Milano, në të cilën pashë Silvion për herë të parë. Lidhja jonë zgjati tre vjet, derisa njoha atë që do të bëhej bashkëshorti im i ardhshëm….”
Sipas Veronikës nuk ishte një dashuri me shikim të parë ajo që i lidhi, por një ndjesi më e vetëdijshme: “Që të dy kishim nevojë të vinim pikat mbi “i” në jetën tonë. Një marrëdhënie dashurie për t’u ndërtuar, një situatë për t’u konsoliduar. Ai kishte një familje ekzistuese, dhe megjithëse në një situatë të kompromentuar, unë kërkoja qëndrueshmëri”.
Kur u njohën, më 1980, Veronika ishte 24 vjeç, Silvio 44. Filluan të jetojnë së bashku më 1981-in dhe fillimet nuk qenë të lehta (“Sot që e njoh mirë Silvion, mund ta kuptoj”): trauma e familjes së dyfishtë dhe e ndarjes, siç ndodh gjithnjë në kësi rastesh, fillimisht u ndje, ndonëse më pas marrëdhëniet u normalizuan dhe sot janë shumë të shtendosura.

Latest articles

Related articles