Masakra e Velipojës, kapet në Rimini një prej të shumëkërkuarve

Mëngjesin e 9 qershorit, Policia e Riminit ekzekutoi një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Autoriteti Gjyqësor Shqiptar ndaj një shtetasi me kombësi shqiptare.

I riu, me banim me anëtarë të tjerë të familjes në provincën e Riminit, u gjurmua nga stafi i Skuadrës Fluturuese në një hotel në komunën e Misano Adriatico dhe, në përputhje me Urdhër Arrestin Ndërkombëtar, iu nënshtrua masës së përkohshme.

SHqiptari u arrestua për qëllime ekstradimi, ndërsa po hetohet për veprën penale “Vrasje dhe armëmbajtje pa leje”, raportojnë mediat italiane.

Nisur nga hetimet e kryera nga AG Shqiptar, personi dyshohet se ka marrë pjesë aktive në përplasjen me armë të ndodhur në Shqipëri në vitin 2021, ku humbën jetën katër shtetas shqiptarë dhe dy të tjerë u plagosën, mes tyre edhe vetë i arrestuari.

Subjekti, pas marrjes në pyetje është shoqëruar më pas me Burgun e Riminit në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor i cili do të vendosë për ekstradimin e tij.

Mediat italiane nuk bëjnë të ditur emrin e personit të arrestuar, ndërkohë Policia shqiptare në lidhje me atë që njihet si masakra e Velipojës ka shpallur në kërkim: Abedin Ferracaku, Shyqyri Ferracaku dhe Besar Ferracaku, të cilët mendohen të kenë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës në ngjarje.

Në orët e para të 27 Qershorit 2021, një konflikt për vendosjen e çadrave të plazhit në Velipojë shkaktoi 4 të vrarë dhe 2 të plagosur. Ngjarja ndodhi mes dy fiseve Gocaj dhe Verracaku. Viktimë mbetën vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj, kamarieri i hotelit të tyre Myzerim Zeneli dhe Kujtim Verracaku. Ndërsa të plagosur Hasan Verracaku (kushëri i Kujtim Verracakut) dhe Elmilind Dyli.

Krimi ndodhi në oborrin e hotelit të familjes Gocaj në Velipojë. Anëtarë të familjes Verracaku bashkë me kushërinjtë e tyre kishin shkuar për t’u sqaruar në lidhje me vendosjen e çadrave në plazh, por të dyja palët debatuan.

Debati degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit dhe përplasja solli bilancin e rëndë. Viktima më e pafajshme në këtë mes ishte kamarieri Zeneli që e kishte dhe ditën e parë të punës.

Latest articles

Related articles