Lulzim Basha bën mrekulli. Ngjall gazetarët!

Shfaqja e Lulzim Bashës sot para derës së parlamentit, ka shkaktuar një mrekulli të pabesueshme. Ka ngjallur gazetarët nga vdekja profesionale.

Shkrimet e shenjta berishiste të përcjella nga apostulli Chim Pecs, kishin parashikuar, dikur para 9 shtatorit 2021, se Shën Luli do të shfaqet nga dera anësore e parlamentit dhe do të lexojë aktin e çlirimit.

Pasi të ketë mposhtur regjimin e egër oligarkik të Edvin Kristaq Rams, shkruhej në ungjijt e zhdukur me 10 shtator 2021, me flokët që i shkëlqejnë prej virtytit, me fytyrën që i shndrin prej nurit të vots s’lir’ e cila u shpik nga pejgameri blu prof. dr. Sali Berisha, e nën rrugën që përshkroi heroi legjendar Azem Hajdari, Shën Luli do të vijë drejt nesh për të kumtuar midis njerëzve lajmin e mirë.

Ish shenjtori i berishizmit i kthyer në besprerë, u shfaq sot nga ajo hyrje.

Gazetarët iu sulën e iu hodhën në fyt. Jo duke e pyetur por duke e marrë nën pyetje, duke e trajtuar ashpër, pa kompromis, si në leksionet mbi gazetarinë, ku na mësohet se media duhet të jetë armike e politikës, se media nuk duhet ta mbajë politikën me hatër por duhet ta vërë atë nën trysni.

Madje ata shkuan më larg, me pyetje tendencioze të tipit: “A do të ktheheni për t’i humbur zgjedhjet e radhës?” Gazetari i Syri Tv shkëlqeu, pasi kur bespreri deklaroi se Syri Tv është pronë e familjes së Sali Berishës, ai pyeti ashpër: A keni prova? Jepni prova. Provat, provat, duam provat. Gazetari psh e di mirë se po paguhet në televizionin Berisha, nga paratë e klanit Berisha por, leksionet fillestare të gazetarisë për të kërkuar prova, e detyruan atë të harrojë nga kush paguhet dhe të kërkojë prova për publikun.

Kur Shën Luli hapi sytë, pa se gazetarët ishin ngjallur.

Çdo të premte në orën 12 kur pejgamer udhëheqësi prof. dr. Sali Berisha i thërret dhe u zbulon profetsinë e tij, ata urdhërohen të vdesin e të rrinë të vdekur mbi tryezën katrore. As e provokojnë me pyetje, as e trysnojnë, as e disrespektojnë, as e vënë në siklet, siç bëjnë me Shën Lulin!

Vetëm e dëgjojnë, e pyesin që të përgjigjet siç preferon ai, ose përndryshe çdo pyetje do të konsiderohet pyetje e Edi Rams. Pyetje nën efektin e drogs. Pyetje e frymëzuar nën orgji në dhomat e errëta të redaksisive.

E pastaj me dhimbje në çdo thinjë si ai udhëheqësi i ngahershëm, dhimbje për fjalën e lirë pa dyshim, ai do të detyrohet të urdhërojë që ata gazetarë provokatorë të mos hyjnë më në selinë e tij.

Pronarëve të mediave do iu shkruhet një kujtesë ku do tiu kujtohet se marrëveshjen nuk e kishin për asisoj pyetjesh të gatuara në kuzhinat e zeza të Edvinit.

Shën Lulin e trajtojnë ashtu sepse nuk i tremben, nuk kanë respekt sepse ai ska fuqi që t’i impresionojë, krijesat që kërkojnë prova për të vërteta që i dihen, kanë leje ta çelin gojën e të ndihen se janë gjallë. Të na krijojnë për pak momente iluzionin sikur Shqipëria ka gazetari energjike dhe këmbëngulëse kundër politikanëve. Të na krijojnë për pak momente mirazhin se kemi arritur në demokraci.

Pra dobësia dhe mungesa e pushtetit të Shën Lul besprerit, ka fuqi të ngjallë gazetarë.

Edhe kjo, jo përfundimisht, sepse po ndodhi ndonjëherë, rastësisht, aksidentalisht, gabimisht, taktikisht, që Shën Luli të forcohet e të fuqizohet, gazetaria do të vdesë përsëri dhe pyetjet do të jenë kështu:

I nderuar z.Basha, çfarë kremi përdorni që iu shndrin fytyra, apo iu shndrin ngaqë jeni pozitiv si njeri? Ose ose: z.Basha një pyetje iu lutem, çfarë shampoje përdorni që iu shkëlqejnë flokët, sepse spo gjejmë karar me shampot?

Falemnderit nëse iu teket të na përgjigjeni.

Latest articles

Related articles