Historia e avionit ushtarak shqiptar që shkoi 200 metra larg aeroplanmbajtjes amerikane

Nga Agustin Gjinaj

Në kuadrin e “Luftës së Ftohtë” të gjitha shtetet e rajonit kujdeseshin për të mos kryer shkelje, pasi konsideroheshin provokacione të rënda. Ruajtja e hapësirës ajrore të vendit ishte detyra parësore e Aviacionit Luftarak Shqiptar, por po kaq e rëndësishme konsiderohej në atë kohë edhe korrektesa për të realizuar detyrat e fluturimit pa dalë jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë. Fakt është se gjatë gjithë asaj kohe nuk ka patur asnjë shkelje të hapësirës ajrore të Shqipërisë me ndonjë qëllim agresioni, provokacioni apo vënie në provë të sistemit të gadishmërisë, pasi në të gjitha rastet që avionët e huaj janë detyruar të ulen në vend, kanë qënë për arësye jo ushtarake, në shumicën e rasteve humbje e orientimit nga ana e pilotëve.
***
Edhe nga ana e pilotëve shqiptarë ka patur raste që gjatë kryerjes së manovrave, i janë afruar apo kanë “prekur” vijën imagjinare të kufitit ajror, ku ndonjë tejkalim i lehtë mund t’i ketë ndodhur disa pilotëve.
Dy janë raste më të interesante që kanë ndodhur me avionët tanë jashtë “kufijve të territorit të shtetit tonë. E para ka protagonist Serafin Sheganin, I cili historinë e tij e ka “treguar” në librin e tij, “Rinasi, djepi i supersonikëve”. Bëhet fjalë për vitet kur mes Shqipërisë dhe Greqisë ishte krijuar një situatë e tensionoar dhe pilotëve të Rinasit shpesh fluturonin afër kufirit duke filluar nga Mali i Thatë në Pogradec e deri te Kepi i Sillos në jugë të vendit.
Në kët përiudhë u dha detyrë për të eksperimentuar rrezen maksimale të avionit MIG-19S. Pas furnizimit të plotë edhe me rezervuarët varës të karburantit në krahë, Serafin Shegani u ngrit me kursin e veriut, u fut në det rreth 20-30 kilometra dhe po me këtë kurs vazhdoi fluturimin në lartësi 6000 metra. Serafini ka shkruar se, “Kaltërsija e detit më vriste sytë dhe herë pas here ktheja shikimin djathtas nga bregadeti. Në travers (paralel) me Ulqinin nuk dëgjohej më aerodromi dhe vendkomanda. Vetmija dhe qetsija më krijuan një ankth apo trishtim në vetevehte. Mu duk vetja si i braktisur, sikur kisha humbur aerodromin, kisha humbur shokët e mij, kisha humbur familjen dhe bridhja nëpër det i çorientuar. Befas pashë kalanë e Dubrovnikut, që nuk do ta harroj kurrë, ndaj energjikisht u rrotullova majtas për tu kthyer. Prisnja të shikoja Ulqinin që të dëgjoja zërin e aerodromit tim. Dikur dëgjova dhe njoha zërin e Dhori Zhezhës që ishte ngritur nga gadishmërija, sepse jugosllavët e kishin marrë për provokacion endjen time në det dhe kishin ngritur një çift, që erdhën deri në derdhjen e Semanit e pastaj u kthyen.
Vetëm atëhere u kujtova se nuk kisha veshur xhaketën e shpëtimit në det dhe sapo kalova Shkodrën vajta direct e në ulje”.
Gjithë fluturimi i Serafinit ishte në limitet maksimale të mundësive të avionit MIG-19. Avioni kishte fluturuar për 56 minuta dhe ishte kthyer në aerodrom me vetëm 400 litra vajguri.

***
Ngjarja e dytë lidhet me Bazën Ajrore të Gjadrit, ku llokatorët shqiptarë kishin diktuar një objekt në ujërat e detit Adriatik pa arritur ti përcaktojnë të dhëna të tjera. Bazës së Gjadrit i jepet urdhëri për verifikimin e situatës dhe komanda e bazës caktova Kujtim Kryekurtin, një pilot me eksperiencë në avionët MIG-21 për kryerjen e kësaj detyre.
Dhori Zhezha, ish-Komandanti i Bazës së Gjadrit, gjithënjë e kujton si një nga ngjarjet më të veçanta të historisë së aviacionit tonë luftarak atë të “përballjes” së një avioni shqiptar me një aeroplanmbajtëse ne Detin Adriatik.
“Edhe sot rrënqethem kur e kujtoj”- thotë ai.
Edhe Kujtimi e kujton me të njëjtin emocion atë ngjarje:
“…Pasi mora drejtimin e caktuar, u futa në det poshtë Patokut me drejtim jug-perëndim. Shikimi ishte i dobët në lartësi të vogël. Isha në 2000 metra kur më thanë që të ulesha më poshtë e të kërkoja pasi objekti ishte përpara 10 km. Komandat filluan të shpeshtoheshin. -“Shiko nga e majta … ja aty është … ulu dhe pak … sa e ke lartësinë.. rrotullohu nga e majta….. shikon gjë? … aty duhet ta shikosh. …… mos të kalon nga ana tjetër…” .
Duke manovruar majtas-djathtas, për një moment u shtanga. Nëpër mugëtirë pashë një kodër të madhe, në mes të Adriatikut… Nuk po u besoja syve… Humba pak lartësi dhe iu afrova. Por ngriva, ajo nuk ishte kodër, por një aeroplanmbajtëse.
Menjëherë i njoftova komandës drejtuese: “Është aeroplanmbajtëse”.
Heshtje nga të gjitha anët.
Më në fund komandanti Dhori Zhezha më pyeti se sa larg isha nga objekti dhe, sapo i thashë “rreth 200 metra”, ai nuk më bërtiti por më ulëriti: “Kthehu energjikisht ….. mos u afro… ktheu energjikisht! Është urdhër!”
– Thuaj të drejtën, – i thashë, – a ndjeve ndopak frikë kur e pe aeroplanmbajtësen?
Dhe Kujtimi përgjigjet qetësisht: “Të gjithë e dimë sa e armatosur është një aeroplanmbajtësja. Nuk kishte shumë kohë kur amerikanët nga një aeroplanmbajtëse në Mesdhe i kishin rrëzuar Libisë së Kadafit dy aeroplanë. Rrahjet e zemrës nuk i ndjeja. Pasi e pashë atë përmasë të pakomentueshme, marramendëse, u rrotullova me ndjenjën që nga momenti në moment mos do dëgjoja ndonjë shpërthim. Instinktivisht çova mendjen te katapulta.
Duke u larguar shikoja majtas-djathtas për ndonjë avion ndjekës, por asgjë e tillë nuk ndodhi. Deti që aq shumë e doja, më dukej armiqësor kur mendoja që mund të katapultoja. Libisë ia kthyen pilotët nga Mesdheu, po mua kush do të më merrte në det, afër aeroplanmbajtëses.
***
Në portale të ndryshme është shkruar për rastin e një piloti shqiptar të avionëve MIG-21 që u kap në ish- Jugosllavi dhe u detyrua të ulej në një nga pistat e shtetit fqinj, por piloti ynë, pasi takoi rrotat për ulje i dha menjëherë gaz motorit dhe u ngrit rrufeshëm për tu kthyer në Shqipëri pa “rënë rob”.
Kjo ngjarje e trilluar për një arratisje spektakolare është më së shumti fryt i fantazive para ndonjë gote, kur avujt e alkoolit bëjnë punën e vet.

Latest articles

Related articles