Drejtori i CIA-s, William Burns, vizitoi fshehurazi Kinën në muajin maj për bisedime me homologët e tij kinezë, tha të premten një zyrtar amerikan.
Lajmi për vizitën e kreut të CIA-s vjen në një kohë kur administrata e Presidentit amerikan Joe Biden po kërkon të promovojë dialogun me Pekinin.
Zyrtari tha: “Drejtori Burns udhëtoi për në Pekin ku u takua me homologët e tij kinezë dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së linjave të komunikimit të hapura brenda agjencive të inteligjencës”.
Vizita u bë e ditur nga gazeta Financial Times.
Administrata amerikane po kërkon të mbajë të hapura linjat e komunikimit dhe të zhvillohen takimet e planifikuara mes zyrtarëve të dy palëve, teksa atmosfera është e tensionuar.
Udhëtimi i Burns ishte gjithashtu vizita e nivelit më të lartë në Kinë nga një zyrtar amerikan që kur zëvendëssekretarja e shtetit Wendy Sherman shkoi në Tianjin në korrik 2021.
Biden në disa raste i ka kërkuar drejtorit të CIA-s të kryejë misione delikate, brenda dhe jashtë shtetit. Po ashtu Burns udhëtoi për në Moskë në nëntor 2021 për të paralajmëruar zyrtarët rusë që të mos pushtojnë Ukrainën.